PD-ja denoncon marrëveshjen me CEZ-in

01/08/2014 00:00

Partia Demokratike nisi serinë e publikimit të disa dokumentave që faktojnë sipas saj se qeveria ka dëmtuar rëndë interesat e vendit kur u tërhoq nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe u angazhua me një marrëveshje që të dëmshpërblejë me 95.5 milionë euro kompaninë çeke CEZ.

Sipas opozitës, marrëveshja i hoqi Shqipërisë të drejtën jo vetëm për të pretenduar në Gjykatë një dëm prej 3 miliardë dollarësh, por edhe fshiu 500 milionë euro fatura të papaguara nga CEZ-i dhe të njohura nga të gjitha palët.

Ish-zëvendësministri i Energjitikës, Enno Bozdo, iu referua raportit të ekpertëve ndërkombëtarë për të deklaruar se CEZ-i nuk respektoi një nga kushtet kryesore të kontratës së privatizimit: kryerjen e investimeve.

“Raporti në mënyrë tronditëse fakton se kompania CEZ ka investuar diçka më shumë se 4% të asaj që duhet të investonte për të arritur performancën e nevojshme teknike të kompanisë. Kjo është e shkruar e zeze në të bardhë në raport e përllogaritur dhe e certifikuar nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha Bozdo.

Cekët e CEZ-it e blenë Sistemin Shqiptar të Shpërndarjes në 2009-n, por sipas Partisë Demokratike ata kishin marrë edhe një tjetër vendim strategjik që në analizën e opozitës konfirmohet nga shifrat e ulëta të investimeve, të cilat në vitin 2011 ishin 37%, ndërsa në 2012-n, vitin kur u hoq licensa, 7%: “Cka do të thotë se ishte marrë vendimi strategjik i kësaj kompanie për t’u tërhequr nga Shqipëria. Pra, ky vendim mundësonte edhe performancën e dobët të kësaj kompanie, pasojat e të cilës i ndjen edhe sot sistemi energjitik shqiptar.”

Sipas Partisë Demokratike, raporti që ekspertët ndërkombëtarë i dorëzuan qeverisë shqiptare, por që u fsheh dhe u injorua prej saj kur firmosi marrëveshjen me CEZ-in, flet edhe për një fakt tjetër tronditës.

“CEZ Shpërndarje ka falsifikuar si investime shpenzimet për mirëmbajtje dhe riparime dhe raporti i bie këmbanës së alarmit për qeverinë shqiptare duke i kërkuar që të nxisë hetimet e nevojshme për këtë krim financiar”, shtoi Bozdo.

Partia Demokratike thotë se do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe CEZ-it dhe se do të vendosë përpara përgjegjësisë ata që firmosën këtë marrëveshje që sipas opozitës është kundër interesave të Shqipërisë.

Top Channel