“Mashtruesit publikë, para drejtësisë”

05/08/2014 00:00

Qeveria shqiptare është e vendosur t’i shkojë deri në fund, pa asnjë kompromis, propozimeve për të mbyllur të gjitha ato institucione të arsimit të lartë, të cilat nuk plotësojnë kushtet dhe tashmë janë kthyer në skema të mirëfillta piramidale, në një sektor delikat siç është arsimi.

Gjatë mesditës së të martës, kryeministri Edi Rama i ka kushtuar kësaj çështjeje dy postime në rrjetin social Facebook.

Rama, në postimin e parë, shkruan “Shembja e piramidave në arsim, fundi i një turpi shtetëror e shoqëror! Mbështesni me fjalën tuaj revolucionin e nisur për universitete reale”. Ndërsa në postimin tjetër, Rama deklaron se qeveria është e vendosur për t’i shkuar deri në fund reformimit të arsimit të lartë në vend.

“Faqja e re, që u çel dje me raportin publik të ligjshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë, do të shkruhet deri në fund me transparencë të plotë, përgjegjësi kombëtare dhe vendosmëri ligjore e profesionale”. Ky është angazhimi i shefit të qeverisë shqiptare.

Sipas tij, “historia e turpshme e lulëzimit të piramidave financiare në arsim dhe tregut të diplomave false do marrë fund njëherë e mirë”.

Kryeministri thekson se nuk do të ketë tolerim në këtë pjesë dhe se ligji do të veprojë njësoj për të gjithë, ndërsa u bën thirrje organeve të drejtësisë, që të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata, që i quan mashtrues publikë, të cilët, në shkelje të plotë të ligjit, kanë grabitur prindër e studentë për vite të tëra.

Sa për studentët, të cilët preken nga kjo reformë e arsimit të lartë, kryeministri shkruan se “do të kenë një mundësi të dytë, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Arsimit e Sportit”.

Basha: Mbyllja e universiteteve, e paprecedent
“Reforma në arsim po bëhet për arsye klienteliste

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi mazhorancën për reformën në arsim dhe vendimin për mbylljen e 17 institucioneve arsimore të larta private dhe të disa degëve të universiteteve publike.

Nga kuvendi për zgjedhjen e drejtuesve vendorë të PD të njësive 5, 7 dhe 10 Basha tha se vendimi i qeverisë ka shkaktuar një tronditje të madhe psikologjike tek studentët dhe një barrë të rëndë financiare për prindërit e tyre.

“Mbyllja e universiteteve u bë me një të rënë të lapsit, pa asnjë paralajmërim dhe pa transparencë. Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie po rëndon në jetën e të ardhmen e shqiptarëve. Sistemi arsimor ka nevojë për përmirësim, edhe UT-ja që ka përvojë më të gjatë ka nevojë për përmirësim”, tha Basha.

Më tej Basha tha se opozita nuk është kundër reformës, por se kundërshton ato që i cilësoi reforma për të përfituar dyshja Rama-Meta.

“Nuk jemi kundër reformës arsimore që ta bëjmë sa më cilësore, por nuk kemi nevojë për ‘Adhamudhë’.  Mbyllja e universiteteve është një aferë e pastër korrupsioni për qëllime klienteliste nga dyshja Rama-Meta. Po përdoret e njëjta skemë si me shëndetësinë, rendin, ekonominë, pensionet dhe marrëveshjen me Cez-in. Në mungesë të plotë transparence Rama-Meta kërkojnë të rrisin përfitimet e tyre në emër të pseudo-reformave. Por ne do ta nxjerrim Shqipërinë nga kthetrat e krimit ku e ka futur Rama-Meta. Përballë kësaj situate, PD duhet të jetë e përgatitur mirë me njerëzit më të mirë dhe alternativën e duhur”, deklaroi kreu i demokratëve.

Top Channel