“Refuzoni të dhënat e telefonave”

06/08/2014 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi një akt të paprecedent vendimin e qeverisë për të marrë të dhënat personale të çdo abonenti të telefonisë celulare.

Ai i bëri thirrje qytetarëve të refuzojnë këtë përpjekje autoritariste e që ka në thelb sipas tij përpjekjen për të shantazhuar të gjithë shqiptarët.

“Duan të përgjojnë kë të duan pa dhënë hesap askund. Në prill, Gjykata Europiane mori një vendim dhe i tha kompanive të celularëve se do të dënohen edhe nëse do i ruanin të dhënat e jo më t’ja jepnin qeverive. Ndërsa qeveria jonë i thotë kompanive që do i dënojë nëse nuk ja jep të dhënat. I thotë qytetarëve që do i gjobisë nëse nuk ja japin të dhënat. Ky është kërcënimi më i hapur ndaj lirisë së shqiptarëve në këto 23 vite. Po e bën një njeri që ka sjellë deri në Parlament krimin dhe kriminelët”, tha kreu i opozitës.

Mbyllja e universiteteve private

Zoti Basha u ndal gjatë fjalës së tij edhe tek vendimi për të mbyllur një sërë universitetesh private, që sipas tij fsheh interesa korruptive dhe klienteliste: “Rezultatet e kontrollit ministror që kishte urdhëruar, dolën njësoj siç i donte sundimtari. Arsimin po e reformon një njeri që nuk e duron dot shkollën, siç është kryeministri jonë. Si në kohën e revolucionit kulturor kinez, kanë vënë gomerët para kuajve. Të pakualifikuarit janë vënë të gjykojnë të kualifikuarit. Në momentin që arsimi kombëtar priste përkrahjen politike, vjen dora e dhunshme e paaftësisë, hakmarrjes dhe injorancës. Ky është një projekt që në themel ka korrupsionin dhe klientelizmin e prandaj nuk duhet lënë të ketë sukses.”

Kryetari i Partisë Demokratike i bëri këto deklarata gjatë pjesëmarrjes në kuvendet zgjedhore të degëve 12, 14 dhe 15.

Top Channel