Elefantët përgjithësisht bëjnë pjesë tek kafshët e qeta, por ka momente kur shndërrohen me të vërtetë të rrezikshëm dhe këtë më së miri e di një çift vizitorësh në Afrikën e Jugut të ndodhur në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Vizitorët e Parkut Kombëtar të Pilanesburgut në Afrikën e Jugut dëshmuan një skenë të frikshme. Një elefant shkëputet nga tufa dhe krejt papritur i drejtohet një makine të parkuar pranë tij. Ai nis të fërkohet pas automjetit pa i bërë mirë llogaritë me peshën e tij.

Rezultati; makinës i këputet shasia, gomat i çahen, xhamat i thyhen dhe llamarina e sipërme deformohet në mënyrë të pariparueshme.

Fatmirësisht çifti i ndodhur brenda në makinë shpëtoi paq dhe përveç tronditjes së madhe psikologjike nuk pati asnjë pasojë tjetër.

Kujdestarët e parkut shpjeguan sjelljen e elefantit duke thënë se këto kafshë bëhen agresive kur u rritet niveli i testosteronit në trupin e tyre. Zakonisht për të “zbrazur” nervat dhe larguar parazitët në këtë fazë, këto kafshë përdorin shkëmbinj dhe pemë dhe duket se në mungesë të këtyre aty pranë, elefanti u tundua nga makina.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel