Arsimi dhe CEZ, Rama: Vaj medet për PD

06/08/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në rrjetet sociale me dy postime qendrimet e opozitës në lidhje me reformën në arsim dhe për marrëveshjen e CEZ-it.

“PD kundër shkuljes së piramidave në arsim e s’ka si të jetë ndryshe: E shkuara vajton të shkuarën në emër të së shkuarës! Vaj medet për PD…”, shkruan Rama.

Opozita ka kundërshtuar reformën në arsimin e lartë e sidomos mbylljen e 17 institucioneve private që Ministria e Arsimit dhe e Sporteve i gjeti me shkelje të rënda ligjore. Një ditë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi reformën klienteliste e që po bëhet për përfitimet të dyshes Rama-Meta.

Në një postim të mëvonshëm, Rama u ndal tek marrëveshja me CEZ-in.

“PD kundër marrëveshjes me CEZ, dhe fytyrat vajtuese në ekran janë të atyre që e groposën në borxhe sistemin tonë elektro-energjitik”, shkruan Rama.

Prej ditësh demokratët akuzojnë qeverinë se me marrëveshjen e nënshkruar me kompaninë çeke i shkaktuan vendit një humbje prej 3 miliard dollarësh.

Top Channel