Një ditë më parë, pas mbledhjes së posaçme për vjedhjen e Thesarit, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë deklaroi se procedurat, udhëzimet dhe rregulloret e brendshme të bankës janë në përputhje me ligjin dhe garantojnë sigurinë e saj.

Në deklaratën zyrtare pas mbledhjes, Këshilli ia faturoi shkakun e vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve nga Arka e bankës, moszbatimit të këtyre rregullave dhe shkeljeve nga punonjës të veçantë të saj.

Por, Top Channel risjell në vëmendje një dokument zyrtar të FMN-së, i publikuar vetëm një muaj më parë, i cili vëren se baza rregullatore dhe procedurat e auditimit, që përdor Banka e Shqipërisë, nuk janë plotësisht sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Në pjesën e parë të raportit, Fondi njeh përmirësimet, duke vërejtur se Banka e Shqipërisë e ka fuqizuar kuadrin e vet të garancive në disa fusha, përfshirë auditimin e vet të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe në funksionet raportuese financiare.

Por, siç vërehet në vijim të dokumentit, strukturës qeverisëse të bankës i mungon mbikqyrja efektive e auditimit të brendshëm, raportimit financiar, si dhe çështjeve të kontrollit.

Madje, siç nënvizon FMN, të paqarta dhe të panormuara në rregullore janë edhe politikat e procedurat për përzgjedhjen e audituesit të jashtëm. Përballë këtyre problemeve, FMN i rekomandon Bankës së Shqipërisë ngritjen e një këshilli të posaçëm, i cili duhet të mbikqyrë auditimin e brendshëm dhe që të përbëhet nga persona jashtë rrethit ekzekutiv të bankës.

Pra, të mos jetë në varësinë e drejtuesve të saj, nje rekomandim që ka pasur për qëllim shkëptuejn e këtij procesi nga influenca dhe kontrolli i drejtuesve më të lartë të bankës.

Top Channel ka mësuar se ky vendim nga banka është marrë vetëm në datën 29 Korrik, 4 ditë pasi vjedhja e bankës ishte bërë publike. Paralelisht, FMN i ka kërkuar bankës të miratojë një politikë formale për përzgjedhjen e audituesit të jashtëm dhe rotacionit të tij.

Pra, një rregull të qartë, ku të përcaktohej se si përzgjidhet audituesi i jashtëm dhe se sa mund të jetë afati maksimal, që një kompani mund të shërbejë si auditues i jashtëm. Po kështu, në dokument, Fondi i rekomandon bankës që të ndërmarrë një vlerësim të posaçëm mbi cilësinë e funksionimit të auditit të brendshëm, i cili, siç do të zbulohej një muaj më vonë, kur u bë publike vjedhja, ka dështuar për katër vjet me radhë të diktonte apo parandalonte grabitjen e parave nga Thesari.

Vetë Banka e Shqipërisë ka qenë zyrtarisht në dijeni, se auditi dhe kontrollet e brendshme financiare, si dhe procedurat e tjera, nuk kanë qenë në përputhje me standardet financiare.

Kjo provohet nga i njëti dokument, ku vetë banka deklaron se “ne do të përforcojmë auditimin dhe kontrollin e brendshëm financiar, në përputhje me rekomandimet e misionit të fundit të FMN-së, për masat mbrojtëse dhe parandaluese”.

Po kështu, banka zotohet se do të ndërmarrë hapa për harmonizimin e procedurave të auditimit të brendshëm të bankës me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.

Auditi i brendshëm dhe ai i jashtëm ishin hallkat kyç, që dështuan në parandalimin e vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve për më shumë se katër vjet me radhë. Dhe, këto hallka duket se kanë qenë problematike prej vitesh, pasi në një tjetër dokument të vitit 2007, para se të largohej nga Shqipëria, FMN shpreh shqetësime thuajse të njëta për cilësinë e auditit të jashtëm dhe atë të brendshëm në Bankën e Shqipërisë.

Top Channel