“Nuk mbështes shkarkimin e Fullanit”

08/08/2014 00:00

Në një komunikim të gjatë me mediat, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi skandalin e Bankës së Shqipërisë, duke theksuar se goditjet ndaj këtij institucioni cënojnë jo pak stabilitetin financiar.

Sipas tij, çështja është nën hetim dhe Banka e Shqipërisë po bashkëpunon në mënyrë të plotë me organin e akuzës: “Banka po bashkëpunon ngushtësisht me Prokurorinë. Ne nuk mbrojmë në mënyrë absolute asnjë person dhe të jeni të sigurtë që deri tani Ardian Fullani nuk ka kërkuar asnjë lloj mbrojtjeje apo mbështetjeje.”

Ish-kryeministri është shprehur i prerë në qëndrimin që do të mbante nëse do të kishte një nismë parlamentare për shkarkimin e guvernatorit: “Nëse nisma do të ishte jopolitike, do e mbështesja. Një nismë politike unë nuk e mbështes kurrë. Një nismë politike të kupolës së mafies shqiptare në Parlament nuk e mbështes sepse kreu i saj është Edi Rama dhe të gjitha vendimet që merren kanë lidhje me kupolën e njerëzve të bërë miliarderë duke vjedhur e duke fjetur.”

Mes shumë çështjeve, ai u ndal edhe tek reforma në arsimin e lartë dhe mbyllja e një sërë universitetesh, një aksion ky që për zotin Berisha ka lidhje me interesa tërësisht korruptive.

“Me këto masa, foshnja vritet sapo ka lindur. Me këto masa, injoranca i bëhet mur dijes. Me këto masa, shqiptarët ecin drejt trashëgimisë së hidhur të etërve të Edi Ramës”, tha Sali Berisha.

Top Channel