BB: Pakti me CEZ, i domosdoshëm

08/08/2014 00:00

Në kulmin e debatit të fortë politik, që ka hapur marrëveshja e qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ, ka reaguar për herë të parë edhe Banka Botërore.

Në një njoftim për mediat, Banka e konsideron zyrtarisht marrëveshjen, si të drejtë dhe si të domosdoshme, për t’i hapur rrugë reformave jetike në këtë sektor.

Deklarata ka ardhur pas përfundimit të negociatave me qeverinë, të paketës 150 milionë dollarëshe, që Banka Botërore do të financojë për sektorin energjitik në Shqipëri.

Në njoftimin zyrtar, Banka bën të ditur se negociatat përfunduan me sukses dhe programi 150 milionë dollarësh, që ajo do të financojë, do të mbështesë reformat në sektorin e energjisë në Shqipëri, veçanërisht përpjekjet për të përmirësuar në vijimësi furnizimin me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të këtij sektori.

“Ndër reformat më të rëndësishme e të nevojshme, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rivendosur ekuilibrin fiskal në Shqipëri, janë besueshmëria dhe qëndrueshmëria financiare më e madhe e sektorit energjitik”, deklaroi drejtoresha e Bankës për Europën Juglindore, Ellen Goldstin, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas saj, zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e mosmarrëveshjes tregtare me kompaninë e Shpërndarjes, bën të mundur që Shqipëria të shpjerë përpara këto reforma vendimtare, si dhe kryrjen e investimeve shumë të nevojshme në sistem.

“Marrëveshja e arritur së fundmi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe kompanisë çeke CEZ, vendos një strukturë të qartë të pronësisë në sektorin e energjisë, e cila lehtëson reformimin dhe investimet e mëtejshme”, shtoi ajo.

Madje, sipas Goldstin, programi i saponegociuar do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë, duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme.

Projekti i financuar nga Banka Botërore është hapi i parë për të mbështetur qeverinë shqiptare në reformimin e sektorit dhe disiplinimin e tij financiar, përmes uljes së humbjeve nga 42 përqind, që janë aktualisht, në 20 përqind, në vitin 2018.

Top Channel