Aksident i tmerrshëm, familjen ruse e ruan Zoti

08/08/2014 00:00

Binjakët 4-vjeçarë dhe prindërit e tyre i shpëtuan mrekullisht një aksidenti të tmerrshëm të ndodhur në rrugët e qytetit rus, Orekhovo-Zuyevo.

E gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë që kanë kapur përplasjen e fortë në një kryeqëzim. Yulia, e ëma e binjakëve që drejtonte automjetin vendos të kthehet majtas pa qenë e vëmendshme në makinën që po i vinte përballë.

Nga aksidenti shihen qartë dy binjakët që “fluturojnë” disa metra jashtë makinës, por fatmirësisht ringrihen shpejt në këmbë së bashku me të atin e tyre.

Shërbimi i emergjencave që mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes u shpreh i habitur me faktin që dy binjakët, Sasha dhe Nikita kishin shpëtuar paq nga përplasja. Edhe dy prindërit e tyre ia hodhën me plagë të lehta, ndërkohë që drejtuesi i automjetit tjetër u shoqërua në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Policia ruse e qytetit tha se ajo që i kishte bërë më shumë përshtypje në momentin e mbërritjes në vendin e ngjarjes ishte reagimi i nënës së binjakëve e cila nuk u shqetësua fare më shëndetin e fëmijëve të saj, por reagoi menjëherë duke pyetur: do të shkojë në burg pas kësaj? Çfarë do ndodhë me mua?

Top Channel