PD akuza për rendin dhe arsimin

09/08/2014 00:00

Partia Demokratike shprehu shqetësimin e saj për nivelin e sigurisë dhe rendit publik, pasi sipas opozitës të gjithë treguesit janë në rënie dhe përkeqësimi i sigurisë ndjehet në çdo drejtim. 

Deputeti Arben Ristani thotë se në krahasim me qershorin, 3 persona më shumë kanë humbur jetën nga vrasjet janë 12 aksidente më shumë në korrik, me pasojë tre viktima është rritur pasiguria në rrugë me 13 plagosje me armë dhe 14 raste dhune fizike më shumë se në qershor, si dhe është rritur pasiguria edhe për jetën dhe pasurinë brenda shtëpive.

“Përkeqësim, pasi është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve të banesave dhe vjedhjeve me armë dhe me dhunë. 121 vjedhje banesash në Korrik, 23 vjedhje me dhunë, dhe 11 vjedhje me armë. Ky është bilanci i vërtetë i rendit dhe i sigurisë në vend, bilanc që përkeqësohet nga muaji në muaj, bilanc që prek cdo ditë qytetarët e vendit. Dhe teksa pasiguria rritet, Rama dhe Tahiri krihen para reklamave qeveritare. Shfaqjet e Edi Ramës janë përralla që nuk e mbulojnë dot këtë dështim monumental të qeverisë në detyrimin kryesor të saj që është rendi dhe siguria”, tha deputeti demokrat.

Një denoncim tjetër i Partisë Demokratike ishte akuza se një nëpunëse e lartë e Ministrisë së Arsimit ka diplomë falso. Për ta provuar këtë demokratët publikuan një shkrim të gazetës franceze “Le Figaro” që flet për dënimin e një spekulanti të dënuar nga gjykata, i cili paguhej në këmbim të diplomave falso.

Bashkë me këtë shkrim, Partia Demokratike publikoi edhe diplomën e doktoratures së zyrtares së Ministrisë së Arsimit, që sipas opozitës bëri së fundmi vlerësimin e përmbushjes së kritereve ligjore nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në Shqipëri.

“Kryeinspektorja e Edi Ramës për cilësinë në arsim, pra modeli i përsosmërisë në edukim sipas Edi Ramës, Ejona Isufi, rezulton të jetë një nga të diplomuarat prej mashtruesit francez të dënuar nga Gjykata e Tiranës. Kontrollorja e kritereve, e standardeve, e cilësisë së universiteteve, është thjesht pa doktoraturën që pretendon se ka. Ky fakt e kompromenton rëndë aktin e Edi Ramës dhe dëshmon se sa joseriozisht e ka ai reformën në arsimin e lartë”, thuhet në deklaratën e PD.

Duke bërë këtë denoncim, Partia Demokratike gjeti rastin të sqarojë edhe pozicionin e saj për ata që kanë shkelur ligjin e arsimit të lartë. Partia Demokratike nxit zbatimin e ligjshmërisë, vendosjen para ligjit të përgjegjësve dhe shkelësve të ligjit. “

“Kjo reformë është mjaft e nevojshme, por që duhet kryer në mënyrë transparente, me konsulencë, për interesat e publikut dhe të studentëve dhe jo për favoret e miqve dhe klientëve”, përfundon deklarata e opozitës.

Top Channel