Pollo: Universitetet, listë ndëshkimore

10/08/2014 00:00

Partia Demokratike ka vijuar të denoncojë reformën në arsimin e lartë të ndërmarrë nga qeveria e kryeministrit Rama, duke theksuar se opozita nuk është kundër ligjshmërisë, zbatimit të normave në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare për secilin universitet, publik apo privat, por, siç theksoi deputeti Genc Pollo, nevojitet një sistem kontrollues i tyre jo me njerëz pa njohuri të mjaftueshme mbi legjislacionin, si në rastin e kryeinspektores së Ministrisë së Arsimit për institucionet e arsimit të lartë.

Gjithashtu, Pollo, në emër të Partisë Demokratike, kërkoi nga ministrja Nikolla të bëjë transparent Vendimin e Këshillit të Ministrave mbi kriteret e vlerësimit të universiteteve dhe bërjen publike të gjetjeve dhe shkeljeve të bëra nga secili prej tyre.

“Kryeministri i kontrastit xhehnem-xhehnet foli për universitetet publike e private, këtë radhë me pasoja të rënda. Duhet të theksojmë se PD është për ligjshmëri, zbatim të normave në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare. Madje, kur këto shkelen, jemi për masa sipas shkeljes së bërë. Është i nevojshëm ngritja e një regjimi kontrollues për zbatimin e këtyre normave. Por, në Shqipëri, kontrollorët janë marrë pa njohuri të mjaftueshme mbi legjislacionin, për rregullat e nevojshme dhe standardet, si në rastin e kryeinspektores me doktoraturë false. Është e qartë që raporti zyrtar përfundimtar i Ministrisë mban listën e universiteteve të ndëshkuara, por në asnjë rast shkeljet që kanë kryer ato, duke mos e bërë transparente këtë gjë dhe duke lënë vend për dyshime, se mbi cilat kritere janë bërë vlerësimet e universiteteve. Vetëm me detajimin e këtyre shkeljeve do të kishim mundësi të gjykonim nëse është i drejtë apo jo mbyllja e njërit universitet, heqja e licencës për një tjetër, pezullimi për një kohë të caktuar dhe përse një tjetër nuk është ndëshkuar. PD kërkon transparencë të plotë të gjetjeve dhe shkeljeve nga ministrja Nikolla. Dimë se VKM nuk është publikuar as në uebsajtin e Këshillit të Ministrave, pavarësisht se të gjitha vendimet e tjera janë bërë publike. Veç mbylljes së jashtëligjshme, që nuk dihen mbi ç’kritere janë bërë, nuk dihet edhe se ku janë bazuar për të përcaktuar kuotat e pranimeve të reja nëpër universitete, të cilat janë ulur ndjeshëm kudo, duke ditur se nuk janë bërë as konsultime me palët e interesuara. Mendojmë se ashtu siç ndodhi me operacionin “Fund marrëzisë”, pas mbylljes së disa prej llotove lulëzuan edhe shumë të tjera, presim të shohim se si do të rilindë arsimi i lartë në Shqipëri”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo.

Arsimi, Rama-Basha replika në Facebook
Kryeministri: Po pastrojmë pisllëkun që la PD. Basha: Injorancë në qeveri

Deklarata e deputetit të PD, Genc Pollo për reformën e qeverisë në arsim ka shkaktuar një reaksion zinxhir, ku janë përfshirë kryeministri Rama dhe më pas kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Duke zgjedhur të dy rrjetin social Facebook, Rama dhe Basha kanë bërë këto komente: “Vazhdojnë përçartë në mbrojtje të piramidave në arsim, paçka se është zbatuar ligji që e bënë por s’e zbatuan kurrë. Vaj me det PD. Reforma s’ndalet”, ka shkruar Rama në profilin e tij.

Ndërsa Basha është shprehur se qeverisë i mungon dija, vullneti dhe ndershmëria për të realizuar reformën në arsim.

“I mungon dija, se në vend të një kryeqeveritari të ditur, racional dhe diskret me çështjet e mprehta ka zgjedhur demagogun sipërfaqësor që kërkon famën përmes cirkut dhe përbaltjes.

I mungon ndershmëria sepse në vend të së vërtetës ka zgjedhur të luajë me manipulimin e opinionit përmes rasteve të izoluara.

Ne do të jemi gjithnjë kundër piramidës së injorancës në krye të qeverisë dhe arsimit. Ne do të jemi gjithnjë kundër fushatave të diskretitimit publik të institucioneve arsimore.

Ne do të jemi kundër mendjeve hileqare, që në vend të debatit proporcional me grupet e interesuara gjejnë momentin më të përshtatshëm për të goditur një çështje me rëndësi kombëtare”, është shprehur Basha nga ana e tij.

Por në një reagim të dytë Rama i është përgjigjur kreut të PD duke thënë: “S’duam falenderime që po pastrojmë pisllëkun që lanë, por kur bëjnë si të rënë nga qielli mbi pisllëkun e tyre janë të vajtueshëm. Vaj me det PD”. 

Top Channel