Arsimi: T’u jepen dosjet studentëve

10/08/2014 00:00

Të 18 institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu hoq licenca kanë detyrim ligjor t’u japin studentëve brenda datës një shtator dosjet, kundrejt asnjë pagese. Nëse këto institucione refuzojnë të zbatojnë vendimin e Këshillit të Ministrave ndaj tyre do të ketë penalizime.

“Institucionet e arsimit të lartë, të cilëve i hiqet licensa, kanë për detyrë përgatitjen e dosjes për çdo student me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve dhe t’ia vënë atë në dispozicion studentit pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij brenda datës 1 shtator 2014. Institucionet e arsimit të lartë që marrin vendime kundër vendimit të Këshillit të Ministrave do të përgjigjen përpara ligjit për çdo vendim të marrë në kundërshtim”, tha Arbjan Mazniku, zëvendësministri i Arsimit.

Zëvendësministri i Arsimit Arbjan Mazniku ka reaguar edhe ndaj deklaratës së ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo, duke theksuar se moszbatimi i ligjit gjatë 20 viteve e ka sjellë arsimin në një gjendje dramatike, ku janë prodhuar diploma, mastera dhe doktoratura pa vlerë.

“Arsyeja pse sot sistemi ishte në këtë pikë është si pasojë e mos zbatimit në mënyrë të vazhdueshme të ligjit nga qeverisja e mëparshme dhe situata kishte shkuar deri në këtë pikë ku duhet të merrje kjo masë, e cila tashmë duket e madhe dramatike. Në qoftë se situata do të ishte mbajtur në ligjshmëri në mënyrë të vazhdueshme nuk do të kishim arritur në këtë pikë. Arsyeja pse jemi këtu është se ligji nuk është zbatuar prej 20 vjetësh. Në shumë nga këto institucione, të cilat kishin lëndë mjekësore dhe ku studentët përfundonin, kemi shkuar dhe kemi gjetur si laborator vetëm një zemër prej allçie, më pas ata do të kishin në dorë jetën e fëmijëve tanë”, shtoi Mazniku.

Pas kësaj faze, Ministria e Arsimit dhe grupi i inspektorëve do të merret rast pas rasti edhe me doktoraturat dhe masterat, të cilat janë dhënë në mënyra krejtësisht abuzive, duke shkelur ligjin dhe të gjitha kriteret e arsimit të lartë.

Top Channel