Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë kryer një takim me përfaqësuesit e shkollës së lartë Vitrina, ku kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili i detyron që t’u japë dosjet të gjithë studentëve kundrejt asnjë pagese.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave thotë se proçedura e çregjistrimit të studentëve tek institucionet që kanë humbur liçencën duhet të bëhet pa pagesë. Një shtatori është data e fundit e tërheqjes së dosjeve nga studentët tek këto universitete dhe brenda 20 shtatorit ata duhet të dorëzojnë këto dosje në Ministrinë e Arsimit”, deklaron Arbjan Mazniku, zv.ministër i Arsimit.

Por përfaqësuesi i universitetit Vitrina, Edmond Vlashaj tha se në kontratën që ky institucion ka me studentin, proçedura e çrregjistrimit ka një kosto prej 500 eurosh.

“Nëse ne që sot do të kishim një udhëzim me shkrim nga MASH, që parashikon hedhjen poshtë të detyrimeve kontraktore, ne jemi gati ta zbatojmë atë. Deri tani me vendim të Këshillit të Ministrave kemi vetëm detyrimin që thotë se nuk do të ketë pagesë shtesë dhe nuk do të ketë”, deklaron Vlashaj.

Ministria e Arsimit ka saktësuar se vendimi i Këshillit të Ministrave është i qartë dhe duhet të zbatohet nga çdo institucion, në të kundërt do të ketë penalizime.

Në bazë të ligjit janë universitetet ato që po prishin kontratën me studentët, pasi atyre iu është hequr liçenca nga Ministria e Arsimit.

Në të tilla kushte, studentët nuk kanë asnjë detyrim ndaj këtyre institucioneve të cilat duhet t’u japin dosjet brenda afateve ligjore të përcaktuara.

Top Channel