PD, akuza për punësimin dhe arsimin

12/08/2014 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar të martën mashtrimin dhe propagandën boshe që sipas saj po bën qeveria Rama me zyrat e punësimit.

Koordinatori i kësaj partie, Ervin Salianji ka qenë me një grup të rinjsh të profesioneve të ndryshme, të cilët kanë aplikuar për punë prej muajsh, por që ende nuk kanë marrë përgjigje. Për këtë arsye, Salianji e ka bërë denoncimin para Zyrës së Punësimit të Tiranës.

“Humbja e vendeve të punës është një nga zhvillimet dhe ngjarjet më të rënda të ndodhura në këto 300 ditë. Politikat e gabuara të qeverisë, vendosja e taksës progresive dhe rritja e proçedurave për punësim kanë dekurajuar sipërmarrësit dhe investitorët për të krijuar më shumë vende të reja pune. Ndërkohë që qeveria nuk po bën asnjë politikë të re për punësimin dhe nuk po punëson asnjë njeri”, ka thënë Salianji.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje që jep qeveria janë fasadat e bukura të zyrës së punës, tek të cilat çdo qytetar që aplikon për punë përballet me mashtrim dhe neglizhencë.

“Jam sot këtu me një grup qytetarësh të profesioneve të ndryshme të cilët kanë aplikuar tek zyrat e punës dhe janë pa punë. E vetmja zgjidhje që jep kjo qeveri është propaganda boshe dhe mashtrimi, ndërkohë që të vetmit persona që punësohen me këtë qeveri janë të inkriminuarit dhe ata me diplomë falso”, ka thënë Salianji.

PD, akuza Ramës edhe për arsimin
Fushata me universitetet, e kompromentuar që në nisje

Partia Demokratike ka akuzuar të martën qeverinë se aksionet për heqjen e liçencave të universiteteve janë bërë në mënyrë spontane, pa transparencë dhe për interesa klienteliste.

Në një deklaratë për shtyp, deputeti Luçiano Boçi ka thënë se këto aksione janë të destinuara të mos sjellin asnjë rezultat dhe për rrjedhojë të mos i shërbejnë shoqërisë.

“Kur mbyllja e mbi 30 universiteteve bëhet nga persona që integritetin e kanë të cënuar njësoj si konstatimet në raportet që bëjnë, ateherë kjo lëvizje çalon që në nisje, është e kompromentuar”, ka deklaruar Boçi.

Ai ka akuzuar shefin e qeverisë për favorizim të interesave klienteliste, duke emëruar në krye të kontrolleve të universiteteve një person, që sipas tij ka doktoraturë false dhe ka qenë donatore e PS në zgjedhje.

“Shqipëria ka specialistë dhe specialiste të shkëlqyer dhe me integritet të lartë. Por Edi Rama ka zgjedhur të punojë me të tjerë, që kanë edhe konflikt interesi, sepse kjo i shërben interesave të tij private e klienteliste”, ka thënë Boçi.

Deputeti demokrat ka shtuar se opozita është pro ligjshmërinë dhe respektimit të standardeve në universitete dhe në sistemin e arsimit të lartë, por ajo nuk mund të pajtohet me reduktimin me 12 mijë të kuotave për të rinjtë që duan të frekuentojnë arsimin e lartë publik.

“Frika është se kësaj kuote do t’i shtohen edhe 6 mijë të rinj për shkak të mbylljes së universiteteve private. Pra, me Edi Ramën 18 mijë të rinj nuk do të kenë universitetin si zgjedhjen e tyre, por rrugën, baret, bixhozin dhe për fat të keq me shumë gjasë krimin, sepse kështu vendosi papritur kryeministri i vendit”, ka thënë Boçi. 

Top Channel