Këlyshi i luanit që tregon nënën e tij të vdekur

12/08/2014 00:00

Një këlysh luani aziatik tregoi një sjellje të pazakontë për llojin e tij duke u treguar rojtarëve të parkut Gir në Indi trupin e pajetë të nënës së tij.

Rojtarët e pyllit hasën me luanin e vogël rreth 15 muajsh dhe duke njohur natyrën e këtyre kafshëve, të cilat fitojnë pavarësinë nga nëna e tyre vetëm kur janë 2-3 vjeç prisnin që të shihnin edhe luaneshën aty pranë.

Por këlyshi ishte i vetëm dhe përgjatë rrugëtimit drejt trupit të nënës së tij kthente shpesh kokën pas si për t’u siguruar se rojtarët po e ndiqnin.

Në momentin kur mbërritën tek vendi ku ndodhej e ngordhur luanesha, rojtarët vunë re plagë të mëdha në trupin e saj, që sipas tyre janë shkaktuar nga përleshja me kafshë të tjera, ndoshta një tufë buajsh që i janë afruar burimit të ujit për t’u freskuar.

“Ndoqa këlyshin që më drejtoi tek nëna e tij. Fillimisht mendova mos ishte duke fjetur, por kur pashë që nuk reagonte ndaj ngacmimeve, kuptova që kishte ngordhur.

Rojtarët morën nën kujdesje këlyshin e luanit i cili do të lëshohet sërish në jetën e egër sapo të mbushë 3 vjeç.

Në parkun e Gir mendohet se janë rreth 411 luanë aziatikë. Këto kafshë, ashtu si edhe “kushërinjtë” e tyre afrikanë janë sociale dhe në 30 vitet e fundit asnjëherë nuk kanë sulmuar njerëzit e zonave përreth, apo edhe rojtarët e pyllit.

Top Channel