Laç, aksidentohet për vdekje i riu

13/08/2014 00:00

Një person ka gjetur vdekjen në një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor Fushë Krujë- Laç.

Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në vendin e quajtur farmaci “Hasi. Një mjet autoveturë me targa LA 2781 A e dretjuar nga shtetasi Anton Lleshi, 19 vjeç është përplasur me një shtyllë.

Përplasja ka qenë e fortë dhe si pasojë ka gjetur vdekjen 19-vjeçari Lleshi, banues në Kurbin, ndërsa ka mbetur i plagosur pa rrezik shtetasi Petrit Lleshi, pasagjer në automjetin e drejtuar nga i riu.

Grupi hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe dhe pakujdesia e drejtuesit të mjetit.

Aksident me pasojë vdekjen në Rrugën e Kombit

Një shtetas kosovar ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti të ndodhur në segmentin Rrëshen-Kalimash të Rrugës së Kombit.

Aksidenti ka ndodhur në orët e mesditës së të mërkurës kur një automjet me katër persona, që të gjithë shtetas të Kosovës ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafik-ndarësen e rrugës.

Për pasojë ka gjetur vdekjen një 21-vjeçar dhe janë plagosur tre persona të tjerë.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet paraprake rezulton se shkak i aksidentit është shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte mjeti në kohën e përplasjes.

Tre personat e plagosur janë transportuar menjëherë për në spitalin e Prizrenit.

Top Channel