PD, akuza për arsimin dhe ‘CEZ’

13/08/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi sërish qeverinë për reduktimin e kuotave të studentëve, duke pranuar këtë vit 12 mijë të rinj më pak.

Sipas PD, shkurtimi drastik i kuotave është arbitrar dhe shkon kundër aspiratave të rinisë shqiptare për edukim dhe kundër nevojave që ka vendi ynë.

“Sot u zyrtarizuan kuotat e reja të pranimeve në universitetet publike dhe ato janë 12 mijë më pak se vitin e shkuar. Me firmën e tij, Edi Rama ka vendosur që 12 mijë të rinj të mos zgjedhin të ardhmen që ata duan. Të mos zgjedhin auditorin, leksionet dhe dijen.

Shkurtimi drastik i kuotave është arbitrar dhe shkon kundër aspiratave të rinisë shqiptare për edukim dhe kundër nevojave që ka vendi ynë.

Shkurtimi i kuotave të pranimit në universitete është një nga goditjet e Edi Ramës ndaj arsimit dhe vjen në kohën kur prej një viti ai nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturën mësimore, nuk ka mbajtur premtimin për rritjen e fondit të ekselencës, apo për çuarjen në 5 për qind të buxhetit për arsimin”, deklaroi deputeti Helidon Bushati.

Ndërkohë, përmes një tjetër deklarate, opozita akuzoi sërish kryeministrin Rama se me marrëveshjen me CEZ-in po i detyron shqiptarët të paguajnë tashmë tarifën e këtij veprimi korruptiv.

“Është një vjedhje që do të rëndojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Çdo qytetar shqiptar, përveç halleve e shqetësimeve të përditshme, tani e tutje do të ketë edhe një pagesë më shumë për të bërë.

Dhe kjo për shkak të firmës së Edi Ramës, pa transparencë, anti-ligjore dhe anti-shqiptare mbi një marrëveshje që jo vetëm i fal kompanisë çeke 3 miliardë dollarë dëme dhe borxhe, por i jep asaj në dorë 95 milionë euro, që do të shlyhen nga të gjithë ne.

Por ka edhe më; shqiptarët duhet të dinë se herët a vonë, dhe është vetëm çështje kohe, çmimi i energjisë elektrike do të rritet. Do të rritet pavarësisht se ne e kemi paguar tashmë CEZ për të mos i rritur çmimet. Do të rritet sepse maxhoranca ka vendosur t’i falë CEZ gjithçka.

Përballë këtyre fakteve tronditese, të vërtetave të pamohueshme, maxhoranca ka zgjedhur të heshtë. Kryeministri ynë, që nuk përton të bëjë “selfie” vend e pa vend, që komenton çdo gjë dhe gjithçka, çuditërisht e kalon vetëm me një batutë në Twitter këtë aferë të turpshme”, deklaroi Enno Bozdo, ish-zv.ministër i Energjitikës.

Top Channel