Enver Hoxhaj* – Zhvillimet e ditëve të fundit përkitazi me përfshirjen e shtetasve tanë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste që rezultuan me një aksion të madh policor në Kosovë janë njëra hallkë e reagimit shtetëror ndaj këtij fenomeni.

Arrestimi i dhjetëra prej tyre është kundërpërgjigjja ndaj kërcënimit fizik dhe të sigurisë sonë përderisa dilemat më të mëdha që kemi para vetes si shoqëri është si t’i qasemi ekstremizmit fetar në një plan më afatgjatë. A kemi vullnetin dhe dijen për t’u përballur me këtë fenomen në rritje në të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe më gjerë? A mund dhe duhet ta marrë këtë barrë vetëm shteti përmes institucioneve të sigurisë apo është obligim i të gjithëve? A përbën ndër rreziqet kryesore për Kosovën në dekadën para nesh së bashku me sfida të tjera në planin e jashtëm sikurse ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në punët e brendshme?

Historikisht, islami në Kosovë dhe te shqiptarët nuk ka traditë të përdorimit të tij për qëllime politike ekstremiste dhe radikale. Feja islame nuk ka përbërë orientim apo mënyrë të sjelljes në jetën publike të saj te shqiptarët. Gjatë dy shekujve të kaluar, elitat shqiptare duke vepruar në Perandorinë Osmane kanë formësuar një botëkuptim të qartë politik dhe paqësor për të ardhmen e shqiptarëve. Ata promovuan idenë se për shqiptarët ‘dielli lind në Perëndim’, që flet për dëshirën dhe orientimin pro-perëndimor të popullit shqiptar. Aspirata, këmbëngulësia dhe domosdoshmëria për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, bëri që ndikimi i islamit në shoqëri të dobësohej. Në shekullin XX, gjatë sundimit komunist, për shqiptarët, feja nuk e kishte rolin dhe hapësirën e duhur në jetën publike.

Tendencat e para të mësimeve radikale islame nisën me rënien e komunizmit dhe pas ndryshimeve të mëdha ndërkombëtare përfshirë edhe Kosovën e pjesë të tjera të botës. Ky zhvillim i ri u manifestua nëpërmjet shfaqjes së tendencave për ekstremizëm fetar e deri te pjesëmarrja e qytetarëve nga Ballkani në luftërat në Lindje të Mesme. Në vitet e fundit shfaqet dukshëm krijimi i disa premisave të vogla dhe shpesh të kamufluara, të cilat mund të shndërrohen në një realitet të përbashkët kërcënues për sigurinë e shteteve tona në rajon. Pashmangshëm kjo varet edhe nga fakti se si do të sillet shteti i ri i Kosovës dhe shtetet e tjera ndaj ekstremizmit fetar.

Premisa e parë është shoqërore dhe ka të bëjë me përhapjen e herëpashershme të ideve dhe mësimeve radikale. Përkundër faktit që Kosova është shtet laik dhe shoqëria e saj është sekulare, kohëve të fundit dëgjohen zëra radikalë nga disa prijës fetarë islamikë, të cilët janë arsimuar në vendet arabe dhe islame. Ata predikojnë një islam tjetër larg islamit tradicional shqiptar dhe një mënyrë jetese të ndryshme me realitetin shqiptar. Pa ndikim nuk janë as asociacionet e ndryshme të financuara që nga paslufta prej botës arabe, të cilat mundohen t’i tjetërsojnë botëkuptimet e të rinjve dhe njerëzve me ndikim në hapësirat tona. Herë pas here ka edhe intelektualë e njerëz të kulturës, të cilët në mënyrë të vetëdijshme dhe këmbëngulëse e interpretojnë gabimisht, por me qëllim për rolin që kinse ka pasur feja te shqiptarët dhe fuqinë që ajo përfaqëson sot.

Premisa e dytë është politike dhe ka të bëjë me lindjen e partive të vogla politike, të cilat nuk gëzojnë mbështetje elektorale. Disa prej tyre, në mënyrë të pavetëdijshme, përpiqen ta kthejnë islamin në një ideologji reaguese dhe rezistuese veçmas në Kosovë. Këto parti me orientim fetar radikal, synojnë që të gjejnë hapësirë të re, të krijojnë elektoratin e vet, të shtyjnë dhe nxisin tema kundërthënëse të karakterit fetar. Është një përpjekje aktive për të islamizuar jetën publike dhe politike në Kosovë dhe te shqiptarët. Njëherësh, këto përpjekje për islamizim të jetës publike kanë për qëllim që të promovojnë një identitet konkurrues antieuropian që është kundër interesave vitale të popullit tonë.

Premisat e sipërpërmendura në përmasa të vogla, por në dukje shumë aktive e kanë kokën e tyre ideologjike dhe mbështetjen financiare jashtë rajonit tonë te grupe dhe ideologji në Lindje, të cilat e shohin Kosovën dhe shtete tjera si një zgjatje të tyre. Në disa vende islame ka grupime politike, të cilat i shohin shtetet e tyre si një qendër të islamit dhe trajtojnë myslimanet në Europë si instrumente dhe kontingjente të politikës së tyre. Natyrisht që këto rryma në Kosovë u shërbejnë interesave të jashtme. Ato janë kundër islamit tradicional te shqiptarët të kultivuar me shekuj, i cili ka qenë çdo herë larg çështjeve politike e publike, dhe i cili asnjëherë nuk ka synuar të dominojë apo kontrollojë sferën publike. Rryma të tilla radikale padyshim që synojnë kontrollimin e jetës publike duke promovuar një rend të ri dhe të huaj kulturor dhe moral, që nuk përkon me orientimin perëndimor të shumicës absolute të shqiptarëve. Përtej kësaj, ekstremizmi fetar ka për qëllim që t’i armiqësojë shqiptarët me Perëndimin, që SHBA-ja dhe BE-ja të humbin besimin te shteti dhe shoqëria jonë. Diçka e tillë do t’i shërbente natyrisht propagandës serbe dhe asaj ruse kundër interesave tona.

Në adresimin e tendencave të tilla radikale, shqiptarët duhet të kenë vullnet politik të pathyeshëm dhe konsensus shoqëror të plotë për t’i marrë ato si një kërcënim për sigurinë. Ky zhvillim i ri nuk kanë të bëjnë vetëm me sigurinë në kuptimin fizik, por edhe me përpjekjen për të parandaluar formësimin e një shoqërie të mirëfilltë europiane, në të cilën rrugëtim gjenden shqiptarët tani dhe shekuj më parë. Përtej reformave të rëndësishme për Kosovën, siç janë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, Kosova nuk duhet të lejojë ngadalësim apo degradim të axhendës euroatlantike. Po ashtu, partnerët strategjikë të Kosovës karshi vendit tonë dhe rajonit duhet të asistojnë që ekstremizmi fetar të mos dëmtojë orientimin euroatlantik dhe demokratik të rajonit.

Në këtë drejtim, duke u ndalur veçmas te Kosova, shteti më i ri në Europë duhet të përforcojë tutje strukturat e sigurisë dhe inteligjencës, të cilat do të punojnë në parandalimin e çdo tendence radikale për ta privuar jetën dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, strukturat e bashkësisë islame në Kosovë, që ruajnë traditën shqiptare të islamit, duhet të angazhohen fuqishëm për të larguar elemente ekstremiste përmes inkurajimit të një islami të moderuar dhe paqësor. Për më shumë, elitat kosovare dhe në përgjithësi shqiptare, duhet të mos bien pre e një naiviteti që shoqëria jonë është diçka mes Lindjes dhe Perëndimit, por ta mbështetë fuqishëm orientimin tonë euroatlantik, edhe për shkak të lidhjeve gjeografike e kulturore me Europën. Shoqëria jonë është pjesë e qytetërimit europian në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk ka kapacitet që ta luajë rolin e një faktori ndërlidhës mes Lindjes dhe Perëndimit. Madje askush nuk kërkon nga shoqëria shqiptare ta luajë një rol të tillë. Përfundimisht, reagimi i shtetit ndaj këtij fenomeni ka ndodhur dhe na takon të gjithë neve si shoqëri se si do të sillemi më tutje.

*Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës

Top Channel