PD: Kryeinspektorja e arsimit mashtroi

14/08/2014 00:00

Pas kallëzimit penal që drejtoresha e inspektoriatit në Ministrinë e Arsimit, Erjona Isufaj depozitoi në prokurori ndaj përfaqësuesve ligjorë të universitetit “Vitrina”, por edhe ndaj deputetit dhe ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo, reagimet kanë vijuar.

“Fakti që një person nga viti 2012, kur e di zyrtarisht që doktoratura e saj është e paligjshme dhe e pavlefshme, e përdor në CV-në e vet në aplikimet për punësim si tek privatët dhe pastaj në Ministri, kjo është vepër penale. Quhet mashtrim dhe e parashikon Kodi Penal. Në çdo vend të Evropës ku duam të integrohemi, kështu thotë shpesh Edi Rama, në një rast të tillë as 24 orë nuk do ishin mbushur dhe personi ose do kishte ikur vet ose do ishte shkarkuar nga titullari”, deklaroi Pollo.

Por zonja Isufaj, përmes një letre drejtuar deputetit Pollo i ka kujtuar ish-ministrit të Arsimit se, “jo vetëm në asnjë moment nuk ka përdorur dokumente false, por e gjithë kjo dhunë verbale ndaj personit të saj po vjen nga një ndër ata që më së paku duhet të heshtnin teksa shteti po bën më në fund detyrën ndaj arsimit të lartë”.

Në letrën e saj, Isufaj thekson se është diplomuar në Siena të Italisë dhe se do të punojë fort për zbatimin e reformës së arsimit të lartë, “e cila do t’i japë një tjetër dimension arsimit”.

Letra e plotë është postuar edhe nga Kryeministri Rama në rrjetet sociale me mbishënimin: “Ja kush është “kryeinspektorja” me “diplomë falso” që është vënë dhunshëm në shënjestrën e pushtetarëve të rënë nga vakti, të cilët mbrojnë me tërbim piramidat universitare dhe sulmojnë me tërbim një grua e nëpunëse të shtetit që, pasi është diplomuar jashtë në shkenca politike, punon me përkushtim në ekipin e ri të Ministres Lindita Nikolla.

Top Channel