Edhe pse jemi në kulm të sezonit turistik një pjesë e madhe e banorëve të Golemit prej një muaji e gjysmë jo vetëm që nuk furnizohen me ujë të pijshëm, por nga rubinet i ujit rrjedh ujë i ndotur.

Një pjesë e madhe e banorëve tregojnë se janë të sëmurë dhe se askush nga organet përgjegjëse nuk po merr masa.

“Problemi është që ujërat e pastra janë përzier me ujërat e zeza. Këtu vijnë lloj-lloj mbeturinash. Nuk mund të hapesh çezmën se vjen ujë i zi dhe me aromë. Është lajmëruar ujësjellësi që ditën e parë që ka ndodhur kjo dhe zgjidhje nuk ka”, thotë një banore.

“Erdha nga Greqia të hap një biznesin tim. Mbrëme isha në spital nga stresi dhe nga kjo situatë. Këtu nuk jetohet më. Të gjithë këtu janë të sëmurë, me ilaçe”, vazhdojnë të shqetësuar banorët.

Pas një ndërhyrje të paligjshme në rrjet, tubacioni  i ujit që furnizon këtë zonë është dëmtuar rëndë dhe personeli i ujësjellës-kanalizimeve nuk ka mundur ta riparojë edhe pse kanë kaluar 7 javë.

Banorët janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe koston e lartë të këtyre pushimeve në bregdet. Ata janë të detyruar të blejnë ujë edhe për t’u larë.

Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen me pushime në apartamentet verore të blera në Golem situata konsiderohet absurde.

Top Channel