Toka po ngrohet më shpejt nga parashikimet

14/08/2014 00:00

Brenda pak dekadash, edhe viti më i fohtë do të jetë më i ngrohtë nga standardet historike që nga koha e regjistrimit të temperaturave.

Në këtë përfundim ka mbërritur një studim shkencor i publikuar në revistën “Scientific American”. Në studim thuhet se bimët dhe kafshët e brezit tropikal janë të parat që rrezikohen. Në këtë brez shtrihet numri më i madh si i llojeve të bimësisë ashtu edhe i kafshëve.

Sipas përllogaritjeve të grupit të shkencëtarëve që janë marrë me këtë studim, pas vitit 2047 mesatarja e temperaturave brenda një viti do të jetë më e lartë se temperatura maksimale e regjistruar ndonjëherë në planet që nga viti 1860, kohë kur ka nisur regjistrimi i këtyre të dhënave, e deri në vitin 2005.

Në disa rajone të globit procesi i ngrohjes do të mbërrijë më shpejt se sa parashikimet. Në tropik kafshët dhe bimët e kanë më të vështirë t’u përshtaten ndryshimeve kaq të shpejta të temperaturave.

Studimi ka marrë për bazë të dhënat aktuale të emëtimit të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe pavarësisht nëse vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim ndryshojnë politika në këtë sektor, sërish rritja e temperaturave do të jetë e pashmangshme, thonë studiuesit, megjithëse jo në nivelet e parashikuara në këtë publikim.

Top Channel