Menjëherë sapo fitoi të drejtën për organizimin e Olimpiadës së 2004-ës Greqia nisi nga puna për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për të pritur mijëra sportistë e atletë e miliona spektatorë që do e ndiqnin nga afër aktivitetin shumë-sportësh.

Mbi 10 miliard dollarë shkuan shpenzimet për ndërtimin e arenave sportive, pishinave dhe gjithë infrastrukturës tjetër të nevojshme për mbarëvajtjen e këtij aktivitetit global.

Investime u bënë edhe në rrugët dhe për herë të parë kryeqytetit grek u bë me metro, që u ka thjeshtuar lëvizjen mbi 4 milion banoërëve të Athinës. Përfitimet nga Olimpiada ishin të kënaqëshme, por ato asesi nuk mund të mbulonin shumat marramendëse që nevojiteshin pas përfundimit të garave për mirëmbajtjen e këtyre terreneve.
 
Si shumë sektorë të tjerë edhe sporti u prek nga kriza e thellë financiare që për pak çoi në faliment Greqinë. Falë huave ndërkombëtare Greqia mundi të mbijetojë, por kostoja e kësaj mbijetese ishte e madhe në gjithë sferat e shoqërisë greke.

Sot 10 vjet pas 2004-ës, fshati i Olimpiadës dhe gjithë stadiumet dhe komplekset e tjera sportive janë shndërruar në gërmadha. Pamjet që vijnë prej andej tregojnë qartë se prej vitesh në këto stadiume e parqe sportive nuk është vënë dorë.

Qeveria greke u detyrua të ndërpresë fondet për mirëmbajtjen e tyre për shkak të shkurtimeve drastike të shpenzimeve dhe pyetja që ngrihet sot pas një dekade është: Mos Olimpiada ishte një projekt tepër ambicioz për një ekonomi kaq të dobët?

FOTO GALERI
1/9

Top Channel