Financat, tkurret GDP-ja e Gjermanisë

15/08/2014 00:00

Prodhimi i brendshëm i Gjermanisë është tkurrur me 0.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Shifra në fjalë është më negative se parashikimet, që sugjeronin për një tkurrje prej minus 0.1 për qind. Rritja e tremujorit të parë krahasuar me të fundit të 2013 është rishikuar nga 0.8 në 0.7 për qind.

Me të dhënat e publikuara një ditë më parë nga instituti gjerman i statistikave, Gjermania bën për herë të parë mbrapa që prej viti 2012.

“Për Gjermaninë, një nga arsyet e ngadalësimit është me siguri stina shumë e butë e dimrit, që ka sjellë një rritje të lartë në fillim të 2014 dhe ka shënuar një rënie në sektorin e ndërtimit, sidomos në tremujorin e dytë”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

“Për më tepër”, ka shtuar ai, “eksportet janë rritur më pak se importet dhe për këtë arsye tregtia me jashtë ka shkaktuar një efekt negativ tek rritja. Por nga ana tjetër, është rritur kërkesa e brendshme”.

Ndërkohë, sa i takon Francës, ministri i Financave Michel Sapin ka vlereësuar se rritja ekonomike e vendit do të ndalojë në vitin 2014 në kuotën 0.5 për qind të GDP-së, gjysma e objektivit të vlerësuar më parë, prej 1 për qind.

Në një prononcim për “Le Monde”, ai ka bërë thirrje për më shumë përgjigje nga Evropa, duke filluar nga përforcimi i aksionit të BQE e deri tek përshtatja e rregullave të buxhetit me situatën ekonomike.

Ndërkohë, Portugalia ka regjistruar në tremujorin e dytë të vitit një rritje prej 0.6 për qind, më pak krahasuar me tre muajt e mëparshëm, prej 0.8 për qind.

Të dhënat e publikuara nga instituti vendas i statistikave ndryshojnë nga parashikimet e analistëve, që flisnin për një rritje prej 0.5 dhe 0.7 për qind.

Top Channel