“Pollo përgjegjës për arsimin e lartë privat”

15/08/2014 00:00

Pas mbylljes së 18 instituteve të larta, polemikat mes opozitës dhe Ministrisë së Arsimit janë intensifikuar.

Zv.ministri i Arsimit Arbjan Mazniku ka deklaruar se ish-ministri i Arsimit Genc Pollo është përgjegjës për situaten aktuale të arsimit të lartë, ku dhjetëra qindra studentë kanë studiuar në programe të palicensura dhe në institute që kanë shkelur tërësisht ligjin.

“Përndryshe nga figura të larta apo të shkurtëra, politike e shtetërore, kolegë dhe ish-kolegë demokratë të zotit Pollo, apo edhe vetë ish-shefi i kabintetit të zotit Pollo, zonja Isufaj këtë doktoraturë nuk e ka vënë kurrë në CV-në e saj për të fituar punën në Ministrinë e Arsimit”, deklaroi zv.Ministri i Arsimit, Arbjan Mazniku.

Ai tha se ish-ministri i Arsimit gënjen kur deklaron se zonja Isufaj ka përdorur një doktoraturë të gënjeshtërt në CV-në e saj, çka e ka ndihmuar për t’u përzgjedhur në pozicionin e saj aktual të punës.

“Për ta treguar me dorë zotin Pollo si një ndër përgjegjësit kryesor të mashtrimit të madh shtetëror me diplomat pa vlerë, për ta treguar me gisht si një ndër bashkëpunëtorët e dëmit të madh moral që iu bë Shqipërisë me këto piramida mashtruese, ashtu si në dëmin e jashtëzakonshëm financiar që iu shkaktua në vitet e qeverisjes së PD familjarëve të studentëve. Ne jemi krenarë për reformën historike që kemi ndërmarrë dhe do ta çojmë deri në fund pa u ndalur përpara asnjë vitrine apo pasqyre ku shihen e krihen të papenduarit që i sollën shkatërrimin arsimit”, shtoi Mazniku.

Ministria e Arsimit bën të ditur se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e Institucionit të Arsimit të Lartë, “Vitrina”, për pezullimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit i është hequr licenca këtij institucioni.

PD: Rama mbron falsifikatorët

Pavarësisht deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Partia Demokratike ka vazhduar me akuzat ndaj zyrtares së MAS, Ejona Isufaj dhe Kryeministrit Rama që për opozitën po mbron falsifikatorët dhe mashtruesit.

“Kryekontrollorja e cilësisë së universiteteve ka qenë ndoshta një nga viktimat e mashtruesit francez që është dënuar nga Gjykata e Tiranës. Por përdorimi më vonë i këtij dokumenti pasi i madh dhe i vogël e kanë marrë vesh, e bën zonjën Isufaj dy herë fajtore dhe sigurisht e bën Edi Ramën njësoj fajtor që del hapur në mbrojtje të mashtrimit dhe falsifikimit. Rama driblon dhe mundohet t’i ikë të vërtetës duke bërë sulme personale. Kjo është për fat të keq kultura e një Kryeministri që nuk mban asnjë lloj përgjegjësie dhe nuk njeh asnjë llogaridhënie”, thuhet në deklaratën e PD.

Top Channel