Tiranë, agjenti i SHISH vret civilin

16/08/2014 00:00

Një konflikt i çastit në ambientet e një gomisterie në Tiranë ka përfunduar me vrasjen e një 33-vjeçari mesditën e së shtunës.

Viktima është Florian Selmani, pronari gomisterisë në zonën e njohur si ish-Fusha e Aviacionit. Nga informacionet e para për ngjarjen dyshohet se viktima i ka shitur një gomë automjeti  një klienti, por goma ka rezultuar e dëmtuar.

Kaq ka mjaftuar për nisjen e një debati mes viktimës Selmani dhe klientit të identifikuar nga policia si Xhevair Mzhiga i cili ka nxjerrë një pistoletë të tipit TT dhe ka shtënë dy herë.

Fillimisht Florian Selmani ka mbetur i plagosur, por ka humbur jetën gjatë dërgimit në spital. Jo zyrtarisht një burim policor i tha Top-Channel se nga verifikimet e para autori krimit është punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe është shpallur person në kërkim.

Nga hetimet paraprake është zbuluar se Xhevair Mzhiga është larguar nga Shërbimi Informativ në kohën kur shërbim drejtohej nga Bahri Shaqiri dhe është ripranuar në shërbim nga Visho Ajazi.

Mzhiga rezulton të jetë i punësuar në Departamentin e Survejimit në SHISH. Policia është duke bashkëpunuar me SHISH për të zbuluar nëse arma e përdorur në krim është ajo që Mzhiga mban për arsye të detyrës apo e jashtëligjshme.

Top Channel