Rama për rehabilitimin e bregdetit

16/08/2014 00:00

Ecuria sezonit turistik dhe sistemimi i zonave të plazheve të Dhërmiut dhe Borshit ishin në qendër të bashkëbisedimit të kryeministrit Edi Rama me banorët e fshatrave të bregdetit.

Në ndalesën e parë në Dhërmi, Rama vizitoi kampin e vullnetarëve, një iniciativë e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për plazhe të pastra, një bashkëpunim ky mes Forcave të Armatosura, vullnetarëve, si dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile. Falë kësaj pune, theksoi kryeministri, këtë vit bregdeti është shumë më i pastër krahasuar me vitet paraardhëse.

Në takimin me banorët e Dhërmiut dhe drejtuesit lokalë, kryeministri bëri të ditur për banorët se në shtator celet konkursi ndërkombëtar për bregun e Himarës së Re dhe për rehabilitimin e fshatrave të saj, me synimin final zhvillimin ekonomik të Himarës së rilindur nga ndarja e re territoriale.


Rama: Nadrja e re territoriale do mundësojë projekte të mëdha

Më pas, kryeministri Rama vijoi vizitën në fshatin turistik të Borshit, hyrja në plazhin e të cilit do të bëhet tashmë nëpërmjet rrugës së re të saporikonstruktuar `Qazim Pali`.

Ky segment rrugor, me gjatësi 2 km që lidh rrugën nacionale Sarandë-Vlorë me plazhin e Borshit, është një investim me vlerë mbi 100 milionë lekë, i rehabilituar në kuadër të projektit `Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale`, me financim të qeverisë shqiptare dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Në takimin me banorët e Borshit, Rama u ndal në efektet që ndarja e re territoriale do të ketë për komunitetet. 

`Besojmë se vitin tjetër do mund të flasim për më shumë gjëra dhe do kemi vënë në vijë më shumë investime. Këtë vit kemi vendosur në dispozicion të zonës një investim të atillë që s`është bërë në shumë vite të marra së bashku. Në sistemin energjitik, në atë rrugor dhe për modelin e parë të zhvillimit të ri urban, sic është shëtitorja e Qeparoit që fillon në fund të këtij muaji`, deklaroi Rama. 

Shefi i qeverisë njoftoi edhe disa plane të qeverisë për të investuar në këtë zonë. `Kemi gati dhe jo gati me fjalë, por ka filluar realizimi i projektit të rehabilitimit të rrjetit të furnizimit me energji të gjithë zonës. Janë dy nënstacione të reja që do të ndërtohen dhe financimi për to është garantuar. Kështu besojmë që zgjidhim përfundimisht problemin e madh që hasni ju dhe gjatë sezonit turistik të gjithë strukturat hoteliere të nivelit shumë të ulët të tensionit`, tha Rama.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka identifikuar rreth 160 projekte rehabilituese në infrastrukturë, ku përfshihen ujësjellës dhe rrugë që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit, si dhe në rikonstruksionin e trashëgimisë kulturore dhe të gjitha burimet e interesit turistik dhe zhvillimor të zonës.

Top Channel