Arrestohet përfaqësuesi i Kokëdhimës

16/08/2014 00:00

Ministria e Brendeshme njoftoi arrestimin dje pasdite të shtetasit Agron Cane, në qytetin e Sarandes. Arrestimi i tij është bërë për shkak se personi akuzohet se ka kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

“Ditën e djeshme, rreth orës 19:30, komisariati i policisë së Sarandës është vënë në dijeni të një veprimtarie të paligjshme nga personi A.C. Gazetari Artur Çani ka telefonuar policinë duke thënë se ka materiale që tregojnë përfshirjen e këtij personi në këtë aktivitet. Strukturat e policisë janë vënë në lëvizje për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa është marrë edhe denoncimi i shtetases. Ndërkohë, ministri i Brendshëm i ka telefonuar personalisht gazetarit Artur Çani, duke i kërkuar të dorëzojë sa më parë materialet që disponon, për të dokumentuar aktin e paligjshëm dhe vënien e autorit para përgjegjësisë”, ka deklaruar Florion Serjani, këshilltar në Ministrinë e Brendshme.

Zyrtari në fjalë ka kritikuar edhe qëndrimet e opozitës lidhur me këtë ngjarje. “Për fatin e keq të shoqërisë shqiptare, opozita sërish lëshohet me tërbim dhe abuzon me viktimën e abuzuar, duke u orvatur të politizojë me shpifje e fyerje një ngjarje, për të cilën Ministria e Brendshme ka folur me gjuhën e fakteve. Për të treguar ndryshimin me ta, kujtojmë se dje një pushtetar u kap në kushte abuzimi seksual dhe pasi gjykata dënoi me gjobë televizionin që bëri denoncimin, ai u kthye në krye të një institucioni. Sot është ndryshe”, ka thënë Seriani.

Materiale të regjistruara janë bërë të ditura për këtë rast, ndërkohë që në website-n ‘investigim.al’ bëhen të ditura detaje të bisedës së personit të akuzar, njëherazi sekretar i deputetit socialist Koço Kokëdhima, me një grua nënë të katër fëmijëve, të cilës i kërkon favore seksuale edhe për të bijën 14-vjeçare.

Gruaja e re kishte kërkuar ndihmë për t’u punësuar për shkak të varfërisë së madhe. Bashkëshorti i saj ishte aksidentuar gjatë punës në ndërtim dhe kishte humbur jetën. Sipas investigimit, sekretari i deputetit socialist i ka treguar hapur gruas synimet seksuale për vajzën e saj 14-vjeçare nxënese në klasën e nëntë.

Sipas faqes së internetit, që zbardh pjesë të bisedës së sekretarit të deputetit, ai i ka premtuar nënës perkujdesje të gjatë për vajzen 14 vjeçe edhe sepse mund të zgjidhet kryetar i Bashkisë së Sarandës në votimet e ardhshme. Skandali ka nisur që në muajin mars kur gruaja kërkoi ndihmë për punësim.

Ndërkohë, zyra e deputetit Kokëdhima ka reaguar duke dënuar thellësisht veprimin e “shëmtuar” të përfaqësuesit të tij. “Implikimi i Canës është një veprim i shëmtuar dhe thellësisht i dënueshëm. Ne distancohemi tërësisht nga sjellje të tilla perverse dhe të sëmura”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Në njoftimin në fjalë gjithashtu saktësohet se, Agron Cane nuk ka qenë asnjëherë sekretar për punësimet. “Ai është tërhequr nga zyra jonë në korrik 2014”, vijon komunikata për shtyp.

Ndërsa Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Arben Ristani e komentoi ngjarjen kështu: “Gjithë strukturat e qeverisë janë angazhuar me presione për të manipuluar rrethanat e ngjarjes. Nga të dhënat tona rezulton se deputeti Kokëdhima është përfshirë vetë në këtë histori pasi ka kërkuar të kontaktojë personalisht me viktimën e poshtërimit njerëzor, nga njeriu i tij i beusar. Gruaja dhe vajza e saj marrin vazhdimisht kërcënime në telefon. I bëjmë thirrje policisë që të marrë në mbrojtje viktimat”, deklaroi Ristani.

Top Channel