Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademiku Besim Bokshi ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare, në Gjakovë.

Bokshi ishte njëri nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së Albanologjisë në përgjithësi.

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë dërguar telegrame ngushëllimi për vdekjen e Bokshit, ndërsa kanë vlerësuar se veprat e tij do të mbesin shembuj të mirë për studiuesit dhe intelektualët e rinj.

Komuna e Gjakovës ka njoftuar se, me rastin e vdekjes së akademikut Besim Bokshi, të dielën, nga ora 15 deri në orën 17, në palestrën e sporteve “Shani Nushi” do të bëhen homazhe.

Më pas, në orën 17, varrimi i akademikut të shquar do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Gjatë karrierës së tij, ndër të tjera, Bokshi ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, më 1968, dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, më 1973.

Top Channel