Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” nisi me filmin “Everyday Rebellion”, një bashkëpunim zviceran, gjerman dhe austriak.

Këtij filmi ku trajtohet e drejta për të protestuar e lëvizjeve të shekullit XXI në vende të ndryshme në botë, i parapriu një protestë simbolike e drejtorit artistik Veton Nurkollari dhe vullnetarëve të “Dokufestit” kundër shndërrimit të Kinemasë Lumbardhi të qytetit të Prizrenit në një qendër tregtare.

Filma me tema të ngjashme do të jenë e veçanta e këtij edicioni.

“Ka shumë filma që flasin për tranzicionin dhe vendet që janë në luftë si Siria. Do shohim filma të jashtëzakonshëm për luftën në Siri. Është një film me ngjarjet që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur. Është edhe filmi Majdan, për sheshin Majdan dhe protestat në Kiev”, thotë Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i Dokufest.

Zotimi i para një viti se “DokuFest” do të mbështetet nga të dyja qeveritë, e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, u realizua. E pranishme në hapjen solemne ishte edhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila vlerësoi “DokuFestin” si një ndër ngjarjet me të rëndësishme kulturore jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin.

“Besoj që është në nder të Ministrisë së Kulturës qëë mbështet këtë ngjarje që sjell vëmendjen e botës së artit në Prizren, në këtë qytet të jashtëzakonshëm. Është një model shumë i mirë bashkëpunimi që japim mes artistëve pavarësisht se ku ndodhen ata”, tha Kumbaro.

Në 7 kinematë e improvizuara në qytetin e Prizrenit do të shfaqen 237 filma nga 56 vende të botës, në 6 kategori. Ndërkaq janë përfshirë edhe një numër i kategorive në kuadër të programit special. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në qendër të këtij edicioni me 30 filma.

Në hapje të festivalit të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi, ambasadorë e personalitete tjera të vendit.

Me moton “Ndrysho! Mos u fshih” DokuFest do të zgjasë deri më 24 gusht.

Top Channel