Missouri, ndërhyn Garda Kombëtare

18/08/2014 00:00

Shteti amerikan i Missourit ka vendosur të dislokojë Gardën Kombëtare në Ferguson, për shkak të përshkallëzimit të protestave pas vrasjes së një adoleshenti me ngjyrë të paarmatosur.

Të shtëna janë dëgjuar, ndërkohë që policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës apo tymuese për të shpërndarë protestuesit, teksa kaosi kishte mbërthyer rrugët e Fergusonit, në Missouri, gjatë natës së të dielës.

Vrasja e adoleshentit ndodhi një javë më parë, ndërsa me qindra protestues, përfshi edhe fëmijë të rinj, ndërsa sipas një reporteri dhe fotografi të “Reuters”, përveç gazit lotsjellës dhe tymueseve janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, pavarësisht se nuk është e qartë se nga vijnë.

Një turmë prej rreth 400 vetësh po marshonte paqësisht, ku kishte edhe familjarë e fëmijë, kur policia përdori forcën për t’i shpërndarë ata. “Tymueset janë hedhur edhe pse situata nuk u provokua deri në atë pikë sa të përdoreshin, – tha një 45-vjeçar protestues. – Është një protestë e udhëhequr nga fëmijë me biçikleta. Më pas, e dini vazhdimin, ata thjesht na thonë ‘shkoni në shtëpi’”, u shpreh protestuesi Anthony Ellis.

Patrulla e Autostradës në Missouri tha se “agresorët” po përpiqeshin të infiltroheshin në një vend komandimi të zbatuesve të ligjit, ndaj dhe u desh përfshirja e autoblindave për të siguruar rendin dhe sigurinë publike.

Sipas policisë, një bombë molotov është hedhur ndaj tye, edhe pse dëshmitarët thonë se nuk është e vërtetë, por ishte thjesht një prej tymueseve të policisë që iu ishte kthyer mbrapsht.

Michael Brown, adoleshenti me ngjyrë, u vra më 9 Gusht, ndërsa ndërhyrja e policisë, përfshi edhe oficerë të armatosur rëndë dhe autoblinda, ndodhi vetëm pak përpara se të hynte në fuqi “shtetrrethimi” për të dytën natë me radhë.

Të dielën, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Eric Holder, urdhëroi një autopsi federale të trupit të Brown, si dhe siguroi familjen dhe komunitetin se do të ketë një hetim tërësor të vdekjes së tij, pasi u qëllua nga oficeri Darren Wilson. Ndërkohë, sipas një raporti të “New York Times”, nga një autopsi paraprake private ka rezultuar se Brown është qëlluar të paktën 6 herë dhe 2 plumba e kanë prekur në kokë.

Top Channel