PS e zgjidh problemin pa e pare fare

18/08/2014 00:00

BLENDI SALAJ – Mjaftoi një ditë dhe problemi i një predatori seksual, që kërkon seks për punë nga zyrat e Partisë Socialiste në Sarandë, u zgjidh. Vetë Kryeministri Rama i ka vënë kapakun çështjes me një postim në Twitter, ku në 140 karaktere apo më pak, u mor me gangrenën e punësimit përmes shërbimit ndaj partisë në pushtet.

Kryeministri e kishte trajtuar këtë çështje jo pak herë kur ishte në opozitë, duke premtuar se do ta shfaroste fenomenin. As e ka cekur dot! Mungesa e vlerësimit, mungesa e garës së ndershme dhe shpërblimi i ushtarëve të partisë, duke i vendosur në pozicione kyçe, është në mendimin tim një betejë e harruar pa nisur. Duke larguar Agronin nga partia nuk zgjidhet asgjë. Ky veprim dhe deklaratat patetike për shtyp më kujtuan atë batutën e dobiçit të hedhur në ferrë nga filmi i famshëm.

Ky fenomen korrupsioni i punësimit përmes deputetëve vijon më i fortë se kurrë, edhe në ditët e Edi Ramës si Kryeministër. Është diçka që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me cilësinë e jetës, e jo vetëm të administratës në Shqipëri. Sot është më mirë të jesh servil sesa i ndershëm, më mirë besnik sesa parimor, më mirë idiot i partisë sesa me kokë mbi supe. Këtu mendoj se sharra kryeministrore ka ngecur në gozhdën proverbiale. Kryeministri mund të ketë perlat, por është i rrethuar nga derrat. I lidhur, nga servilizmi i njerëzve të tij, si Guliveri nga liliputët.

Problemi që Kryeministri nuk adreson, nuk është tek epshet pedofilike të një njeriu, por te sistemi që i jep pushtet këtij takëmi, e që bën që populli ta zgjidhë hallin te zyra e deputetit, e jo te zyrat e shtetit. Pyetja lind, pse duhen Zyrat e Punës, derisa puna gjendet në mënyrën e Agron Canes? Provojeni vetë, është pothuajse e pamundur të gjesh dikë që beson te punësimi me meritë – dhe kjo nuk mund të jetë një rastësi. Njerëzit mendojnë kështu, sepse kështu është.

Kaq për fiaskon e fundit në marrëdhëniet me publikun. Kjo do t’i ketë efektet të gjata dhe dëmin në imazh do ta ketë të rëndë. Sado ta bëjnë lanet në media, çakej si ky janë gjaku në venat elektorale të partive politike në Shqipëri. Si efekt anësor mund të përmendim se u desh një pedofil për të shpëtuar një guvernator.

Top Channel