Obama: Diga në Mosul, siguri për personelin

18/08/2014 00:00

Duke justifikuar sulmet ajrore amerikane në operacionin e përbashkët me forcat kurde, për rimarrjen e digës së Mosulit, shefi i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama theksoi se një lëvizje e tillë synon mbrojtjen e interesave të Shteteve të Bashkuara atje.

Një dëmtim i digës së Mosulit do të vendoste në rrezik objektet e stafit amerikan, përfshirë punonjësit e Ambasadës sonë në Bagdad, thotë Presidenti, në një letër të dërguar Kongresit. Komentet e tij erdhën pas dërgimit për herë të parë të bombarduesve amerikanë në ndihmë të përpjekjeve kurde për dëbimin e militantëve të ISIS-it nga rajoni.

Zyrtarët vendas pretendojnë se diga është tashmë thuajse krejtësisht nën kontrollin e tyre…

Nëse rimarrja e objektit strategjik konfirmohet, kjo do të jetë fitorja më e madhe kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Levant, që prej fillimit të ofensivës së tij në muajin Qershor. Diga e marrë prej xhihadistëve më 7 Gusht furnizon me ujë dhe energji elektrike të gjithë Veriun e Irakut.

Në letrën e tij, Obama nënvizon faktin që misioni i nisur në Irak do të jetë i kufizuar në kohë dhe qëllim. Shume druheshin së ISIS mund ta përdorte digën për të përmbytur zonat përreth saj. Nga sa raporton ushtria amerikane, vetëm të dielën avionët e saj kanë ndërmarrë 14 sulme në Mosul e kanë dëmtuar 19 automjete të militantëve islamikë, si dhe një pikë kontrolli pranë digës, ndërsa “peshmergat” kurdë po përpiqen të pastrojnë zonën nga minat, që kanë ngadalësuar avancimin e trupave në terren.

Ndjekës i një forme ekstreme të islamit sunit, ISIS-i persekuton të gjithë jo-muslimanët, e përveç të krishterëve dhe banorëve Yazidi, fushata e tij e dhunës nuk ka kursyer as muslimanët shiitë, që i sheh si heretikë.

Kryeministri i ri i Irakut, Haider al-Abadi, edhe ai një shiit si paraardhësi i vet, përballet me sfidën e madhe të bashkimit të vendit kundër militantëve të ISIS-it, ndërsa i duhet të fitojë sërish besimin e sunitëve që e shohin lidershipin e vendit me dyshim.

Top Channel