Sakrificat ekstreme për t’u dukur më të bukur

18/08/2014 00:00

Nga lidhja e këmbëve, tek injeksionet me dioksid karboni për lëkurë që duket më e re, e deri te pilulat me arsenik për dobësim… Trajtimet e bukurisë, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë qenë nga më të çuditshmet.

Sot ka kremra, locione, makina e kirurgji, që premtojnë të të zhdukin vitet nga fytyra e të të rikthejnë rininë, apo edhe ta ruajnë atë. Por, përpjekje të tilla nuk janë një fenomen modern.

Ato shtrihen shumë prapa në kohë, edhe pse në mjaft raste trajtimet kanë qenë tepër të pazakonta, e disa vazhdojnë të përdoren akoma edhe sot. Lëkura prej porcelani e geishave japoneze ka intriguar gjithmonë, por pak e njohin përbërësin magjik që, siç thuhet, ndihmonte pamjen e tyre befasuese: ato janë jashtëqitjet e bilbilëve, të cilat janë përdorur për shekuj të tërë në këtë vend si pastrues fytyre.

Për shkak se urina përmban amonjak, romakët e lashtë besonin se ajo ishte perfekte për gargarë të gojës, sepse ka aftësinë të dezinfektojë dhëmbët, të parandalojë karriesin e t’i zbardhë ata në maksimum.

Megjithatë, me efektet anësore që përfshijnë infeksionet bakteriale, apo dhe erën e rëndë të gojës, sot pasta e dhëmbëve e fiton garën. Pilulat e dobësimit duken të pafajshme, por në shekullin e 19 ato përmbanin elementë vdekjeprurës, si arseniku dhe striknina.

Konsumi i tyre shkaktonte një helmim të ngadaltë, që çonte drejt sëmundjeve të rënda si diabeti e kanceri, e deri dhe në vdekje. Një metodë ekstreme bukurie ka gjetur përdorim, ndërkohë në ditët tona: trajtimi vampir i fytyrës nuk ka të bëjë me ndonjë kafshim në fyt, por me marrjen e gjakut nga krahu i personit të interesuar, centrifugimin e tij për të ndarë qelizat dhe injektimin paskësaj në fytyrë.

Procedura 600 paundëshe e shtyn trupin të krijojë qeliza të reja gjaku, e mbi të gjitha kolagjenin që rinon lëkurën. Në Tailandë ka femra që, për t’u dukur më të reja, paguajnë 200 paund për një seancë 15-minutëshe shuplakash në fytyrë.

Shuplaka duket se përmirëson qarkullimin e gjakut e ofron edhe një skuqje të shëndetshme, ndërsa vetë procedura premton të zvogëlojë poret, të zbusë rrudhat e të tërheqë lëkurën, e kjo nuk tingëllon dhe aq keq.

Top Channel