Temperaturat e larta dhe ndotja e ambientit kanë rritur numrin e infeksioneve bakteriale në lëkurë te fëmijët e vegjël.

Dermatologia Erjona Shehu, në QSUT, shpjegon në lidhje me një infeksion ngjitës te fëmijët, sidomos parashkollorët, prindërit e të cilëve duhet të bëjnë kujdes tani, kur po afron dhe fillimi i sezonit për kopshtet dhe çerdhet, ku mundësia e përhapjes së infeksionit është më e madhe.

“Këtë vit po e hasim më shumë, krahasimisht me vitet e tjera, që quhet impetigo. Është një infeksion që vjen edhe në një terren ambienti higjeno-social të ulët, megjithatë është problem sepse është ngjitës nga fëmija në fëmijë dhe në ambiente të përbashkëta, si kopshti, çerdhja, apo edhe vendet ku ata luajnë me njëri-tjetrin, mund të transmetohet fare lehtë”, u shpreh Erjona Shehu, mjeke dermatologe.

Dermatologia shpjegon se ky infeksion bakterial është i zakonshëm në periudhën pranverë-verë-vjeshtë, dhe shfaqet si një fluskë e ngritur në lëkurë, por nëse nuk mjekohet brenda 24 orëve, ai përhapet në të gjithë lëkurën.

“Shfaqet si një pickim banal, një skuqje e thjeshtë e lëkurës, ngritje pak mbi nivelin normal të saj, bëhet një fluskë, e cila më pas çahet dhe fillon e lëngëzon. Përpos faktit që shfaqet ky lezion, ai shtrihet në sipërfaqe, zgjerohet, shtohet në numër, pra lezione të tjera në lëkurë”, thotë Erjona Shehu.

Dermatologia u drejtohet prindërve të bëjnë kujdes në lidhje me higjenën e fëmijëve kur kthehen në shtëpi.

“Të lahen duart, t’i bëhet dush fëmijës sidomos kur vjen nga jashtë-brenda, kur është në kontakt me fëmijë të tjerë, të kontrollohet vazhdimisht nga prindi për të parë nëse ka ndryshime në lëkurën e tij, e më pas, për çdo lloj ndryshimi, të mos merret nisma që të mjekohet vet fëmija apo t’i lihet në dorë farmacistit, por të çohet te mjeku”, vijoi më tej mjekja Erjona Shehu.

Ky infeksion bakterial, nëse hyn në shtëpi, mund të prekë edhe moshat e treta, ku gjen imunitet më të dobët.

Top Channel