Biznesi, propozime për paketën fiskale

18/08/2014 00:00

Sipërmarrja private i ka drejtuar qeverisë një sërë propozimesh që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit si dhe kërkon implementimin e tyre në paketën e re fiskale të vitit që vjen.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka thotë se një nga pikat ku duhet ndërhyrë është forcimi i masave që duhen marrë ndaj inspektorëve tatimorë, në rastet kur gjykata hedh poshtë vendimet e marra prej tyre dhe i jep të drejtë biznesit.      

“Për çdo vendim gjykate të formës së prerë që lë në fuqi kërkesën e sipërmarrësit dhe rrëzon kërkesën apo vendimin e marrë nga inspektori i tatimeve duhet të ketë automatikisht paralajmërim për përjashtim nga puna dhe nëse një inspektor ka dy vendime të tilla të formës së prerë të gjykatës që rrëzohen, atëherë të merret masa për përjashtimin e tij nga puna”, thotë Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Një tjetër propozim i sipërmarrjes ka të bëjë me aplikimin e tatim-fitimit, që sipas Jakës duhet të jetë jo më shumë se 10 përqind për bizneset deri në 8 milionë lekë ndërsa kërkohen edhe lehtësi të tjera fiskale për sektorin e agro-biznesit dhe turizmit. Duke iu referuar çështjes problematike të rimbursimit të TVHS-së, Jaka thotë se do të kërkohet ndryshimi i ligjit.

“Një ndër ligjet që pretendojmë të ndryshojmë me partneritet me qeverinë është ligji i TVSH-së dhe heqja e skemës së TVSH së për aktivitetet që kërkojnë rimbursim. Nuk duhet të kemi TVSH kur ajo rimbursohet përmes procedurave ligjore. Nuk ka sens logjik”, tha ai.   

Biznesi propozon që Drejtoria e Apelimeve dhe Avokati i Tatim-paguesve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të kalojë në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Financave. Vendimi i Drejtorisë së Apelimit të jepet nga 90 ditë që është aktualisht, brenda 30 ditëve, kurse biznesi të përjashtohet nga parapagimi deri në fazën kur merret një vendim i prerë nga gjykata.

Top Channel