Të hënën në Prishtinë është mbajtur ceremonia e hapjes së edicionit të 33-të të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, duke shënuar edhe 40-vjetorin e themelimit të këtij seminari.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja ka thënë se ky seminar kishte edhe karakter tjetër përveç atij të zhvillimit të gjuhës, ndërsa sipas tij, tashmë duhet të fokusohet vetëm në zhvillimin e albanologjisë.

“Do të doja që seminari të kishte edhe një kuptim tjetër, sepse e dimë që ky eveniment, përveç karakterit studimor ka pasur edhe atë propagandistik e patriotik. Përveç aspektit studimor, do të doja që ai propagandistik të mos ndalej kurrë për arsyen se miqtë tanë të gjuhës, kulturës dhe letërsisë kanë qenë gjithmonë ambasadorët më simpatikë të çështjes sonë”, deklaroi Buja.

Ndërsa drejtori i seminarit, Bardh Rugova ka thënë se, kur është themeluar ky seminar nuk është menduar se do të jetonte kaq gjatë.

“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ky aktivitet 40-vjeçar bashkëmoshatar i imi, do të jetojë për aq kohë sa do të ketë nevojë albanologjia, për aq sa do të kenë nevojë studiuesit e huaj për të, për sa të kemi nevojë për integrimin e kulturës shqiptare në botë”, tha Rugova.

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të zgjasë dy javë, përgjatë të cilave do të paraqiten kumtesa nga rreth 100 albanologë nga e gjithë bota.

Gjatë kësaj kohe do të ketë edhe ekskursione dhe aktivitete të ndryshme. Punimet e këtij seminari filluan me një minutë heshtje në nder të akademikut Besim Bokshi, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë.

Top Channel