Korçë, protestë për banesat sociale

18/08/2014 00:00

Një grup të pastrehësh në qytetin e Korçës protestuan para bashkisë së qytetit ndërsa po mbahej mbledhja për ndarjen e banesave sociale.

Nga 900 kërkesa, vetëm 93 përfituan. Kjo ka shkaktuar pakënaqësinë e atyre që mbeten jashtë kësaj lishte. “Jam i papunë, më fusni në punë që të plotësoj kriteret e bankës. Ku t’i gjej unë ato?”, tha një prej protestuesve.

“Jam veti i pestë, vite pa punë dhe pa shtëpi. Kam tre fëmijë të mitur, të tre të sëmurë. Të tërë e dinë gjendjen time”, tha një tjetër.

Bashkia e Korçës, e cila prej 3 vitesh nuk ka mundur të bëjë shpërndarjen e këtyre apartamenteve për shkak të kërkesës së investitorëve që të ndryshohen kriteret për familjet përfituese ku dominuese kanë qenë të ardhurat, ka sqaruar se nga 900 aplikantë, kriteret i përmbushnin vetëm 450.

“Renditja e aplikantëve ka patur një logjikë sipas numrit të pikëve. Pra, kush ka fituar më shumë pikë kanë qenë në krye të listës ndërsa pjesa tjetër janë rreshtuar. Këto janë banesa me qera, përfituesit do kenë mundësi të paguajnë qeranë për 10 vjet dhe më pas do të kenë mundësi të kërkojnë blerjen e saj”, sqaroi Benila Terova, nënkryetare e bashkisë.

Rreth një vit më parë njësia e koordinimit të projekteve në Ministrinë e Punëve Publike dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, e cila financoi 1 milion euro për këtë projekt kërkoi që Bashkia e Korçës të standardizonte kriteret e përzgjedhjes së familjeve përfituese, duke vendosur një sistem pikëzimi mbi bazën e të cilit do të bëhej edhe përzgjedhja e tyre.

Top Channel