Rama-Basha, replika për punësimin

18/08/2014 00:00

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama ka bërë publike rezultatet e Shërbimit Kombëtar përmes zyrave të punës, ku sipas tij deri në fund të qershorit mbërriti zyrtarisht në 43.879 numri i vendeve të reja të regjistruara.

“Zyrat e punës për vitin 2014 kanë shpallur 17.651 vende të lira pune, ndërsa kanë ndërmjetësuar për 9.100 të tjera”, ka thënë Rama duke shtuar se, për këtë vit janë disbursuar 2.7 milionë dollarë për nxitjen e punësimit. Por në postimin e tij, shefi i qeverisë ka sulumuar dhe opozitën.

“Mllefet, shpifjet, fyerjet dhe gjithë përbërësit e tjerë të gjellës së neveritshme që gatuhet çdo ditë në mensën e SHQUP-it dhe shpërndahet përmes kamarierësh të deshpëruar për të ushqyer injorancën e pakënaqësine, vetëm e kalisin vullnetin e palëkundur qeverisës për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë”, mbyll Rama postimin e tij.

Menjëherë pas këtij postimi ka reaguar dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, po me anë të një postimi në Facebook. “Vulgaritet dhe fjalor i padenjë shoqeruar me rrenën e ditës, ky është kryeministri ynë! Asnjë vend i ri punë, por mijëra të flakur nga puna për shkak të taksave të larta dhe paligjshmërisë qeveritare. Ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurtë është e vërteta që prek sot çdo shqiptar! Ndërsa gjeli krekoset majë plehut!”, shkruan kryetari i PD-së, Basha.

Top Channel