Islandë, rritet alarmi për vullkanin

19/08/2014 00:00

Në Islandë është rritur rreziku për shpërthimin e vullkanit Bardarbunga, pas shenjave të zhvillimit të lëvizjeve të magmës.

Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shërbimit meteorologjik të vendit, sipas të cilës niveli i rrezikut për industrinë ajrore është rritur në ngjyrën portokalli, e dyta mes niveleve më të larta.

Çdo shpërthim mund të shoqërohet sipas të gjitha gjasave me përmbytje ose me emetim gazi, saktësoi burimi në një deklaratë për shtyp.

Vullkani Ejafjallajokull u aktivizua në vitin 2010, duke prodhuar re hiri që çoroditën hapësirën ajrore evropiane. Sistemi vullkanik Bardarbunga ndodhet në rajonin veri-perëndimor të akullnajës Vatnajokull të Islandës.

Aktivitete intensive sizmike të tij filluan më 16 gusht dhe një tërmet i fuqishëm tronditi të hënën rajonin, deklaroi zyra e shërbimit meteorologjik.

“Ky është tërmeti më i fortë në rajon që prej vitit 1996. Aktualisht nuk ka shenja të shpërthimit, por nuk mund të përjashtohet që aktiviteti aktual të rezultojë në një shpërthim nënakullor, duke çuar në përmbytje dhe emetim hiri”, deklaroi burimi.

Sa i përket industrisë ajrore, ngjyrat përdoren për të treguar nivelin e rrezikut që përbën vullkani për fluturimet. Ngjyra portokalli tregon se vullkani po tregon lëvizje të përshkallëzuara me një potencial në rritje shpërthimi, ose po shpërthen pa lëshuar re të mëdha hiri.

Ndërsa alarmi i kuq tregon se shpërthimi është i pashmangshëm, me emetime intensive hiri vullkanik në atmosferë.

Top Channel