Martanesh, humbin jetën 2 minatorë

19/08/2014 00:00

Dy minatorë humbën jetën mëngjesin e së martës në një galeri kromi në minierën e Fushë Lopës, në Martanesh. Raportohet se aksidenti tragjik ndodhi në orën 9 të mëngjesit kur sapo kishte nisur lëvizja në frontin e punës.

Sipas të dhënave që vijnë nga minatorët e tjerë në këtë galeri, bëhet fjalë për shembjen e një masivi shkëmbor brenda në galeri, që ka zënë nën vete dy persona, njëri 30 dhe tjetri 53 vjeç.

Aktualisht po punohet për të hapur zonën ku ndodhi aksidenti dhe për të nxjerrë prej andej dy viktimat, të identifikuar si Qemal Sela dhe Ilmi Baçi.

Pas aksidentit të rëndë në minierën e Martaneshit, policia ka arrestuar 2 persona, administratorin Shemsi Ballabani dhe drejtuesin teknik të minierës, të dy për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë.

Aksidentet me pasoja tragjike ndodhin shpesh në pjesën më të madhe të minierave të vendit për shkak të kushteve shumë të këqija të sigurisë dhe punës.

Aksidenti më i fundit ndodhi dy ditë më parë edhe në galeritë e kompanisë ACR në Bulqizë, ku u plagos një minator. Puna në minierat e kromit është kthyer në një nga profesionet më të rrezikshme që merr çdo vit jetën e shumë minatorëve.

Top Channel