Dhe më pas çfarë?

19/08/2014 00:00

Nga Klodiana Kapo – Sa vlerë ka jeta e një të riu? Vrasja e djaloshit 26-vjeçar nga Elbasani, i cili punonte si kamerier në një lokal në Dhërmi na ka tronditur jo pak. Një i ri që përmes punës së tij kërkon të mbajë veten dhe prindërit e papunë, përfundon i vrarë, sepse punëdhënësit e tij dyshojnë se ai u ka grabitur 500 mijë lekë… Një dyshim i cili përfundon me vrasje… dhe më pas çfarë?

Një vajzë rrihet barbarisht nga i dashuri i saj, sepse ai dyshon. Plagët e marra janë aq të mëdha sa ajo humbet jetën. Dhe më pas çfarë?

Një i ri ka humbur punën e saponisur… Prindërit janë të papunë. Nuk ka para. Nuk ka mundësi të ushqehet, të mjekohet. Nuk ka shpresë… Dhe më pas çfarë?

Por këto nuk janë as ngjarje të veçuara dhe aspak të rralla. Nëse ne duam t’i shohim apo t’i dëgjojmë, atëherë do t’i ndeshim kudo dhe kurdo.

Marini, është një djalë mjaft simpatik dhe i talentuar që jeton në Tiranë. Ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë për Violinë. Di të nxjerrë tinguj të mahnitshëm prej violinës së tij, por për të nuk ka punë. Në kodrat e liqenit ai qëndron bashkë me violinën e tij, nga ku shpërndahen tinguj të qetë muzike. Aty-këtu kërcasin disa monedha brenda kapakut të violinës. Melodia është e trishtë  ashtu si edhe sytë e tij. Ai ka frikë nga e tashmja dhe dridhet para së ardhmes.

“Kam kërkuar dhe kam trokitur në dhjetëra dyer, por për mua nuk kanë punë. Edhe ato pak që janë, kanë shumë kohë që janë zënë. Familja ime ka sakrifikuar mjaft për mua gjatë gjithë këtyre viteve dhe tanimë do të dëshiroja shumë të isha i pavarur ekonomikisht, e mbase të mund t’i ndihmoja sadopak. Të ndihmoja të paktën për sigurimin e ushqimit…”

Zhegu i vapës në këto ditë gushti, i përzier edhe me ankthin e mungesës së të hollave, por më së shumti me frikën se edhe në shtator nuk do të mund të gjesh një vend pune, e bën ditën edhe më të lodhshme  dhe natën tmerrësisht të gjatë. Marini ka ëndrra si gjithkush prej nesh. Kërkon të punojë, të ketë të ardhura të mjaftueshme për veten e mbase për të bërë ca ditë pushimi pranë bregdetit. Por të gjitha këto i përkasin të ardhmes.

Janë me qindra të rinj që edhe pse kanë përfunduar studimet e larta enden rrugëve të papunë. Statistikat e ftohta tregojnë qartë se 26.9% e të rinjve në Shqipëri, të moshës 15 deri në 29 vjeç, janë të papunë. Qeveria përmes politikave të saj po përpiqet t’i drejtojë të rinjtë drejt arsimit profesional, por ndërkaq situata është aq e mahisur sa të rinjtë s’dinë ku të përplasen.

Faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve janë mbushur me ngjarje që u përkasin të rinjve, por edhe barrës së rëndë që ata shpesh kanë detyrë të tërheqin nga pas. Emigrimi nuk është më zgjidhje edhe për të rinjtë shqiptarë, pasi në të gjithë botën numërohen rreth 1.8 miliardë të rinj të papunë. Kryesisht janë vajza, të cilat nuk kanë asnjë akses për të plotësuar nevojat bazë, si edukimi, shërbimet shëndetësore, mbrojtja e tyre nga dhuna.

Më shumë se 500 milionë të rinj jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë dhe të paktën 175 milionë të rinj jetojnë në vende shumë të varfra, ku  nuk  mund të shkojnë në shkollë dhe nuk arrijnë të lexojnë as edhe një fjali.

Drejtori i përgjithshëm i UNFPA Dr.Babatunde Osetimehin, në ditën ndërkombëtare për të rinjtë, tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë një kalim sa më të shëndetshëm nga adoleshenca në të rritur. Të jesh i shëndetshëm do të thotë jo vetëm të mos jesh i sëmurë fizikisht, por edhe mendërisht dhe të kesh një gjendje të mirë sociale.

Shëndeti mendor i të rinjve është injoruar në mënyrë të vazhdueshme, ndaj edhe nga viti në vit shohim një rritje të numrit të të rinjve që vuajnë nga depresioni dhe zgjedhin vetëvrasjen si zgjidhje. Në gjithë botën, një në katër vajza adoleshente janë kërcënuar seksualisht dhe një në tri femra janë detyruar të martohen para moshës 18 vjeçe. Gjendja është shumë herë më e vështirë në zona ku ka konflikte dhe kriza të mëdha ekonomike.

Sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun, në ditën ndërkombëtare të rinisë tha se të rinjtë, të cilët konsiderohen vulnerabël, siç janë të rinjtë e pastrehë, ata që janë përfshirë në programet e drejtësisë për të mitur, jetimët, apo ata që kanë pasur eksperienca konfliktuale dhe që janë stigmatizuar apo kanë pasur barriera, nuk mund t’i lësh në mëshirë të fatit, kur ata kanë më shumë nevojë për ndihmë. Le të kujtojmë se me mirëkuptim dhe ndihmë, këta të rinj mund të lulëzojnë dhe të ndihmojnë përmes kontributit të tyre në të ardhmen e përbashkët.

Janë me qindra mijëra të rinj në Shqipëri, që kanë nevoja emergjente jo vetëm për gjetjen e një vendi pune, por edhe për t’i drejtuar drejt një arsimimi sa më dinjitoz, për të cilin tregu aktual i punës ka nevojë. Qindra të rinj edhe në Shqiperi janë bërë pjesë e një peticioni, i cili është krejtësisht i veçantë, përmes fotos së tyre, apo siç njihet në botë “show your selfie”. Ata janë bërë pjesë e një peticioni që Unfpa po drejton në të gjithë botën në mënyrë që të jenë pjesë qendrore e investimeve në vendin tonë, por edhe në botë.

Top Channel