Gjashtë persona kanë humbur jetën, dy vëllëzer nga Tirana që nga dita e djeshme ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 39 shtetas të tjerë janë ndihmuar nga policia kufitare dhe emergjencat civile gjatë këtij sezoni turistik në plazhet që shtrihen nga Divjaka deri në Shëngjin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve ka ndodhur në plazhet e Durrësit, Golemit e Qerretit. Në të gjithë plazhin e Durrësit, një nga më të mëdhenjtë në vend, ndodhet vetëm një kullë vrojtimi që praktikisht e bën të pamundur mbulimin e të gjithë zonës.

Shumica e kullave të vrojtimit që u ngritën këtë sezon, si nismë e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për të rritur sigurinë e pushuesve në det, janë të braktisura nga rojet bregdetare, një grup të rinjsh të trajnuar për të ofruar ndihmën e parë në det e plazhe.

Situata konsiderohet kritike veçanërisht këtë muaj, kur deti është karakterizuar nga një situatë e paqëndrueshme dhe ka qenë kryesisht i trazuar. Shërbimet policore kanë ndërhyrë në 25 raste të ndryshme duke mundësuar shpëtimin e shumë turistëve gjatë këtij sezoni turistik.

Pas çdo ngjarjeje që ka regjistruar viktima në plazhe, pushuesit kanë deklaruar se dhënia e ndihmës së shpejtë nga persona të trajnuar do t’i kishte shpëtuar.

Divjakë

Në plazhin e Divjakës ndodhet një pikë vrojtimi por askush nuk qëndron në të për të ndihmuar pushuesit që mund të jenë në rrezik. Më 16 korrik në këtë plazh humbi jetën një adoleshent në një skenë që tronditi qindra pushues që ndodheshin atë ditë fundjave në plazh.

Policia nuk ka mjete lundrimi në këtë zonë dhe në disa raste të tjera në ndihmë të personave në rrezik ka shkuar vetëm me mjet lundrues në pronësi private.

Një nga rastet e fundit ka qenë ai kur një i ri rrezikoi mbytjen. Të vetmit që e kuptuan se ai ndodhej në vështirësi ishin miqtë e tij që vrapuan nga bregu për ta shpëtuar. Në zonë kaluan edhe policë me biçikletë të cilët nuk e vunë re skenën. Pas disa minutash përpjekje me dallgët, personi u nxorr në zonë të sigurt.

Vlorë

Edhe në plazhet e Vlorës mungojnë rojet në pikat e vrojtimit. “Nuk i kam parë. Është hera e parë që vij këtu dhe nuk di as se ç’janë”, thotë një pushuese. “Këtu s’ka ardhur njeri, nuk kemi parë gjë”, thotë një tjetër.

Fatmirësisht këtu nuk ka ndodhur asnjë aksident fatal, ndërsa ka qenë policia që ka ndihmuar disa herë pushuesit në Zvërnec e Dhërmi, të cilët kishin mbetur të bllokuar nga dallgët në mjetet e tyre të lundrimit. Në disa raste janë shpëtuar gjithashtu edhe turistë të huaj.

Velipojë

Në Velipojë nuk kanë ndodhur ngjarje tragjike. Por kjo jo për shkak të ndërhyrjes së rojeve të plazhit. Në këtë plazh shumë të madh, të frekuentuar më së shumti nga turistët kosovarë, nuk ka pika vrojtimi dhe zona prej 12 kilometrash e gjatë kontrollohet vetëm nga policët që lëvizin me biçikleta.

Por nuk kanë qenë kaq fatlumë pushuesit në Shëngjin. Këtë vit në këtë plazh janë regjistuar dy raste mbytjeje, një vajzë vetëm 8 vjeç dhe nje pushues nga Kosova, 46 vjeç.

Top Channel