Kritika për agjencitë e vlerësimit

19/08/2014 00:00

Tri agjencitë e mëdha të vlerësimit të riskut i bëjnë të dridhen të gjithë në botën financiare, por ekspertë të ndryshëm të ekonomisë kanë akuza të rënda për Standard & Poor’s, Moody’s dhe Fitch.

I cituar nga “Deutsche Welle”, Manfred Gartner, profesor për ekonominë në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër, thotë se “S & P” nuk është në gjendje për asnjë dialog konstruktiv, nuk kupton koncepte elementare ekonomike dhe përhap “gënjeshtra”.

Në 2012-n, së bashku me kolegun e tij Bjorn Griesbach, Gartner botoi një studim, ku pretendonte se klasifikimi i ulët i vendeve si Irlanda apo Greqia, për shkak të krizës financiare, shkonte përtej asaj që do të ishte e justifikuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike dhe financiare të këtyre vendeve.

Pikërisht vlerësimi i dobët, i dhënë nga tri agjencitë në fjalë, shkaktoi një rreth vicioz: klasifikimi i gabuar solli – sipas ekspertëve – rënien e besimit të tregut tek aftësia e shlyerjes së borxhit i vendit, kjo çoi në rritjen e normave të interesit në një masë të mjaftueshme për të justifikuar më vonë degradimin e gabuar, ose duke shkaktuar madje një degradim të mëtejshëm dhe ekzagjerimin e normave të interesit.

“Në fund të një spiraleje si kjo, mund të vijë falimentimi i një shteti”, thekson Gartner. Nëse klasifikime të tilla, që i ngjajnë leximit të filxhanit, bëhen pastaj prej diletantësh, – thotë profesori, – atëherë situata bëhet edhe më kritike.

Gartner shton se politika ka fjetur gjumë për një kohë tepër të gjatë dhe se tani, që ekonomitë europiane po e marrin veten, përpjekjet për t’iu kundërvënë me diçka pushtetit të agjencive të vlerësimit kanë nisur të zbehen sërish.

Top Channel