Izraeli sulmon sërish Gazën, shkeli “paqen”

19/08/2014 00:00

Izraeli ka nisur sërish sulmet në Rripin e Gazës, gjatë së martës, teksa thërriti negociatorët e tij nga bisedimet për paqe në Kajro, pasi deklaroi se 3 raketa palestineze goditën Jugun e vendit, disa orë para se të skadonte armëpushimi me militantët palestinezë.

Një korespondent i Reuters thotë se kishte parë një avion izraelit që të lëshonte një raketë në Lindje të qytetit të Gazës, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se po sulmonte “objektivat terroriste” përreth territorit.

Një zyrtar izraelit tha se kryeministri Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ekipin negociator të rikthehet në Izrael. Reagimi i vendit hebre erdhi pasi 3 raketat ranë mbi territorin izraelit, ndërkohë që ndërmjetësuesit egjiptianë, të cilët po zhvillonin bisedime të ndara me negociatorët e Izraelit dhe Palestinës, nuk mundën të arrinin një marrëveshje afatgjatë për të ardhmen e Rripit të Gazës.

Një zëdhënëse e ushtrisë tha se raketat ranë në zona të pabanuara pranë qytetit të Beershebas dhe nuk ka pasur raportime për të vdekur. Dëshmitarë në qytetin e Gazës thanë për Reuters se kishin dëgjuar edhe zhurmën e lëshimit të raketave nga enklava palestineze.

“Ky sulm me raketa është i rëndë dhe një shkelje e drejtpërdrejtë e armëpushimit”, tha Mark Regev, zëdhënës i kryeministrit Netanyahu. Megjithatë, nuk ka ende një marrje përgjegjësie për lëshimin e raketave, ndërsa hakmarrja e Izraelit dukej e pashmangshme.

“Në kundërpërgjigje të shkeljes së paqes nga Hamasi, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes kanë urdhëruar IDF-në (Forcat izraelite të Mbrojtjes) të sulmojnë sërish objektivat e terrorit në Rripin e Gazës”, tha një zyrtar i qeverisë, i cili foli në kushtet e anonimatit.

Më herët, shefi i delegacionit palestinez në Kajro, për negociata të drejtpërdrejta me Izraelin, paralajmëroi se dhuna mund të rifillojë sërish nëse dështojnë bisedimet.

Marrëveshja e armëpushimit 72-orëshe u shty edhe me 24 orë të tjera, fillimisht, por palestinezët nuk i janë përmbajtur.

Top Channel