Prezantohet Conte: Hoqa dorë nga shumë parà

19/08/2014 00:00

Antonio Conte është prezantuar në Romë si trajneri i ri i kombëtares “axurre”. Së bashku me të ka qenë edhe presidenti i Federatës italiane të Futbollit (FIGC), i sapozgjedhuri Tavecchio.

“Jam i emocionuar të jem këtu, të gjithë trajnerët në botë do të donin të ishin këtu. Ndaj, polemika mbi pagën nuk më takon mua. Mund të them se kam ardhur duke pranuar parametrat e FIGC dhe kam hequr dorë nga shumë parà, duke shitur imazhin tim. Edhe në kombëtare fitorja duhet të jetë një dënim ‘i ëmbël’, premtoj se do të grumbulloj vetëm ata që e meritojnë”, kanë qenë fjalët e para të ish-teknikut të Juventusit.

Conte ka firmosur kështu kontratën që do ta lidhë me Italinë përgjatë 2 viteve të ardhshme. Procedura zyrtare është kryer në “Parco dei Principi”, ku kanë qenë të pranishëm edhe avokati i trajnerit, Antonio De Rensis, si dhe konsulentja e marketingut, Giulia Mancini. Është dashur pak kohë, por përfaqësuesit e Contes kanë analizuar deri në detaj të gjitha kushtet e kontratës, që është cilësuar si “komplekse”.

Ndërsa presidenti i FIGC është shprehur: “Ky, sa i përket Federatës, është një investim i goditur. Kemi arritur të krijojmë një sinergji të shkëlqyer, që do të pasohet edhe nga tipe të ndryshme diskutimesh. Marka jonë është zhvilluar me figurën e një personi që ka tërheqje të madhe komerciale. Por, gjithashtu, ai është edhe një trajner italian, një vlerë e shtuar e sistemit futboll-komb. Mund të analizojmë gjithçka për të gjetur gabimet, por ky është një investim për t’i dhënë shtysë vendit. Është sinjal i kapacitetit dhe profesionalitetit. Nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër”.

Një temë e nxehtë ka qenë edhe paga. “A jam një trajner ndër më të paguarit? Kam pranuar vetëm parametrat e vendosur nga Federata. Por, nëse Conte ka një imazh që me kalimin e kohës ka arritur vlerën maksimale, kundrejt njërit që mund të vlejë shumë pak, kjo do të thotë që FIGC ka vlerësuar edhe këtë të drejtë përsonale. E përsëris, unë kam shitur imazhin tim te Federata”.

Top Channel