Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Komunën e Strugës, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët, por, siç duket, këto fakte nuk kanë qenë të mjaftueshme për drejtuesit e festivalit ndërkombëtar “Mbrëmjet strugane të poezisë”, për ta përdorur edhe shqipen gjatë këtij manifestimi, krahas maqedonishtes dhe anglishtes.

Organizatorët e këtij festivali tradicional, që financohet nga Ministria e Kulturës në Maqedoni, i kanë shpërndarë njoftimet, për përmbajtjen programore të manifestimit, vetëm në gjuhën maqedonase dhe atë angleze, duke mos pranuar kërkesën e Komunës së Strugës, që në festival të ketë edhe prezantues shqiptar dhe poezitë të përkthehen edhe në gjuhën shqipe.

“Komuna e Strugës bojkoton festivalin poetik ‘Mbrëmjet strugane të poezisë’. Bëhet fjalë për një festival tradicional, që mbahet prej disa dekadash, i cili aspak nuk i përshtatet realitetit të ri. Festivali mbahet në Strugë, kurse Struga është një Komunë me shumicë shqiptare, ku gjuha shqipe flitet dhe është zyrtare në nivel lokal, kurse drejtuesit e festivalit nuk pranojnë që, së paku, këtë realitet ta pranojnë në programin e tyre të festivalit”, tha Sirya Rashiti, shef i sektorit për Arsimin dhe Kulturën në Komunën e Strugës.

Përfaqësuesit e Komunës së Strugës thonë se festivali “Mbrëmjet strugane të poezisë” keqpërdoret prej vitesh nga politika.

“Në këtë festival, politika i ka futur hundët që moti dhe për qëllime jo të mira. Ne tani duam që t’i japim një karakter tjetër, konform realitetit që funksionin në Strugë”, shtoi më tej Sirya Rashiti.

Në festivalin e 53-të “Mbrëmjet strugane të poezisë”, që është hapur të dielën dhe mbyllet më 26 Gusht, po marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës.

Top Channel