ISIS ekzekuton reporterin amerikan

20/08/2014 00:00

Në ditën që Presidenti Barack Obama njoftonte marrjen e Digës së Mosulit nga ana e forcave irakiane dhe atyre kurde, ndihmuar nga ajri me bombardimet amerikane, ekstremistët e ISIS kundërpërgjigjen me publikimin e një videoje ku pretendohet se ekzekutohet reporteri amerikan, James Foley.

Militantët thonë se vrasja e gazetarit është rezultat i drejtpërdrejt i bombardimeve amerikane në Irak. Shtëpia e Bardhë ka thënë se po punohet për të identifikuar vërtetësinë e videos dhe nëse kjo do të rezultojë pozitive, SHBA do të tronditej nga vrasja barbare e gazetarit.

Para ekzekutimit, reporteri është detyruar të lexojë një letër ku u bëhej thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që të “luftonin vrasësin e vërtetë që ishte qeveria amerikane”.

Në rrjetin social “Facebook” familja e Foley-t kërkoi durim deri në vërtetimin e videos nga organet përkatëse.

Gazetari James Foley ka raportuar gjerësisht në të gjithë Lindjen e Mesme derisa u rrëmbye në 22 nëntorin e vitit 2012 në Siri. 

Ndërkohë, ushtria irakiane ka nisur ofensivën për marrjen e  Tikritit, qytet i konsideruar njëri prej kështjellave të militantëve ekstremistë të ISIS.

Operacioni ushtarak në terren i ndihmuar edhe nga bombardime nga ajri me avionë dhe helikopterë nisi pak orë pas marrjes së Digës së Mosulit, pikë strategjike në Veriun e Irakut për faktin se furnizon me energji dhe ujë pjesën më të madhe të rajonit.

Ushtrisë së rregullt qeveritare në operacion u janë bashkuar milicitë shiite dhe ushtarët kurdë Peshmerga.

Tikrit, vendlindja e Sadam Husein ndodhet 130 kilometra në veri të Bagdadit dhe një nyje lidhëse mes kryeqytetit dhe Mosulit, qytetit të dytë më të madh të vendit që ndodhet ende nën terrorin e ISIS.

Televizionet arabe raportojnë se forcat qeveritare kanë hyrë në qendrën e qytetit, por lajmi nuk mund të konfirmohet zyrtarisht. Sipas Reuters ofensiva e ushtrisë e nisur në dy fronte, jug dhe lindje po has në rezistencën e militantëve të ISIS.

Situata humanitare mbetet e nderë. OKB njoftoi nisjen e një operacioni madhor humanitar në zonat veriore të Irakut në mbështetje të gjysmë milioni personave të zhvendosur nga avancimi i ISIS. Ndihmat në barna mjekësore, ushqime dhe veshmbathje do të dërgohen nëpërmjet rrugëve ajrore dhe atyre tokësore duke përdorur Turqinë, Iranin, Jordaninë dhe Emiratet Arabe.

Reagimi britanik

Ministri i Jashtëm britanik e cilësoi videon e publikuar nga ISIS ku tregohet ekzekutimi i reporterit amerikane me prerje koke, dëshmi të qartë të brutalitetit të kësaj organizate.

Në një video-konferencë, Philip Hammond thotë se video duket e vërtetë, ndërsa komenton edhe faktin që ekzekutuesi i James Foley, reporterit amerikan të rrëmbyer në 2012 në Siri, flet me theks britanik.

“Jemi të informuar mbi një numër domethënës qytetarësh britanikë që janë rreshtuar në krah të ISIS dhe kanë kryer krime të tmerrshme”, tha ai duke shtuar se ky fakt përbën një kërcënim direkt për Britaninë e Madhe.
 

Top Channel