Japoni, 32 viktima nga rreshqitja e dheut

20/08/2014 00:00

Pamje tronditëse mbërrijnë nga Japonia, ku rrëshqitjet masive të tokës kanë marrë të paktën 32 jetë njerëzish.

Balta e dheu kanë mbuluar me dhjetra shtëpi në prefekturën e Hiroshimës, ku 9 persona rezultojnë të zhdukur. Megjithatë, zyrtarët lokalë thonë se disa nga banorët i ka marrë vërshimi i dheut me vete, e nuk mund të thuhet me siguri se sa është numri i saktë i atyre që mungojnë.

Një pjesë e viktimave ishin fëmijë, më i vogli një djalë dy vjeç. Në mesin e të vdekurve është edhe një punonjës 53-vjeçar shpëtimi, i cili humbi jetën nga shembja e një shpati kodre, ndërsa përpara kësaj kishte shpëtuar 5 vetë nga vdekja e sigurt.

Rrëshqitjet e frikshme të tokës u shkaktuan nga reshjet e dendura në rajon, e autoritetet paralajmërojnë se vazhdimi i shirave mund të sjellë përsëritjen e këtyre episodeve. Shumë zona në qendër dhe në Jug të Japonisë janë malore, e banesat atje janë ndërtuar nëpër shpate malesh.

Vitin e kaluar ishte një tajfun, ai që shkaktoi rrëshqitje dheu në ishullin Izu Oshima, duke marrë jetët e 35 personave.

Top Channel