Tregtarët e ish-Uzinës Dinamo nuk kanë lejuar që policia të futet në ambientet e tregut për t’i komunikuar se tashmë do të zbatohet vendimi i Task Forcës për mbylljen e tij.

Aksioni i policisë ka filluar një natë më parë kur forca të rendit nuk kanë lejuar të futen kamionët që vijnë herët për të furnzuar me produkte tregtarët e shumicës për t’u shpërndarë më pas tek tregtarët më pakicë. Tregtarët e pakicës kanë vijuar punën me ato sasi që iu kishin mbetur pa shitur një ditë më parë.

Tregtarët tregojnë se si gjatë gjithë natës policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë detyruar tregtarët që të zhvendosen në tregun e ri të ngritur në autostradë. Por nga ana tjetër ata paralajmërojnë protesat dhe se nuk do të lejojnë që të zhvendosen me dhunë.

“Po nxjerrin tregtarët me pa të drejtë. Kanë nxjerrë policinë që po ndalon kamionët që të mos furnizohemi dhe tregu i ri po furnizohet. Po na nxjerrin me dhunë me pa të drejtë. Hynë në treg dhe na thanë dilni me forcë. Segmente të caktuara shtetërore që duan të ndërtojnë një monopol në tregun tjetër, sot ja arritën qëllimit. Dje jemi ballafaquar me dhunën më të egër policore. Tregtarët janë marrë me forcë dhe janë lënë në periferi. U janë marrë dokumentet. Tani do të flasë gjykata dhe jo biznes-politike që do të kacafytet me ne”, thonë tregtarët.

Pak kohë më parë Task Forca e ngritur nga prefektura në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranë dhe Autoritetin Kombëtar të ushqimit morën vendim për mbylljen tregut te Uzina Dinamo dhe zhvendosjen e tij në Autostradë.

Ky vendim sipas tregtarëve bëhet për të favorizuar individë të ndryshëm të cilët duan të shfrytëzojnë këto ambiente për ndërtime shumëkatëshe.

Top Channel