Durrës, kapen 500 kg hashash

20/08/2014 00:00

Rikthehet trafiku i ngarkesave të mëdha me bimë narkotike nga Porti Detar i Durrësit.

Natën e kaluar shërbimet e Policisë Kufitare përzgjodhen për kontroll një kamion të markës Iveco me targa AA 336 JJ që po kryente procedurat e imbarkimit për të udhëtuar me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.

Gjatë kontrollit në dyshemenë e kamionit u gjetën të fshehura 320 pako me afro 500 kg kanabis sativa me destinacion tregun italian. Policia arrestoi pronarin dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin Fatmir Doja, 46 vjeç nga fshati Spille i Kavajës.

Struktura e anti-drogës në Policinë e Durrësit vijon hetimet për zbardhjen e këtij rasti trafiku dhe personat e tjerë të përfshirë në të.

Top Channel